Rasti tragjik i mbytjes së mërgimtarit, Rrahim Latiti pas gjuajtjes nga ura në Liqenin e Ujmanit, ka ngritur si diskutim çështjen e sigurisë së këtij uji.
Ishin Shoqata e Peshkatarëve të Kosovës, ata që thanë se kanë vërejtur tela elektrikë në brendësi të liqenit, gjë që sipas tyre, e rrezikon larjen e qytetarëve.
Më këtë rast, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka kryer hetime, por që sipas tyre këto tela nuk janë të rrezikshëm.
“Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik. Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos ndihen të frikësuar, pasi çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal”, u tha në komunikatën për media.
Se nuk ka hapësirë për shqetësim, e thotë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Për çdo sinjalizim Policia e Kosovës normal bën këto veprime. Nuk shoh që në këtë situatë është shqetësim, çështja e këtij informacioni. Kjo për faktin që do të bëhet një vlerësim i gjendjes nga Policia e Kosovës dhe do të ndërmerren masat e duhura”, tha ai.
Përkundër kësaj, po kritikohet qasja institucionale karshi liqenit të Ujmanit, si burim i ujit të pijes dhe si zonë për larje të qytetarëvve.
“Nuk ka sinjalistikë nëse lejohet apo jo larja, dhe nuk ka veprime të tjera të cilat janë të përcaktuara sipas legjislacionit sekondar. Në anën tjetër legjislacioni sekondar që rregullon mënyrën e trajtimit të burimeve të ujit të pijes, nuk përcakton se nëse burimet e pijes ka mundësi larje. Dhe fatkeqësisht, do të thotë në gjithë këtë situatë, institucionet nuk i kanë përmbushur këto detyrime, por thjesht e kanë proklamuar liqenin e Ujmanit si zonë për larje”, u shpreh Gëzim Shala nga IKD.
E nga ministria e Mjedisit, nuk kanë dhënë përgjigje për mungesën e adresimit të këtyre çështjeve.