Një provokim nga ana e maturantëve në Mitrovicën Veriore bëri që të intervenojnë Policia e Kosovës.
Një nga policët që reagoi ishte edhe Dylot Ibrahimi i cili kërkoi nga ky i ri të mos provokojë situatën.
S’vonoi shumë, ndaj këtij veprimi reagoi edhe Serbia ku lëshoi edhe fletarrest ndaj policit të Kosovës.
Por, drejtori i Policisë në një konferencë për media hodhi poshtë akuzat se ndaj të rinjve serbë u përdor dhunë.
Por, sa është i realizueshëm një fletarrest ndaj policit në fjalë?
Ish-ministri i punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti thotë se këto veprime tashmë janë të njohura nga Beogradi zyrtar.
Derisa ka një kërkesë për lidershipin aktual në raport me këtë institucion.
“Mbetet shqetësim ky rol i Serbisë po aq sa mbetet shqetësim çfarëdo lloj shfrytëzimi i Policisë së Kosovës nga ana e politikës. Pra, Policia e Kosovës duhet të mbetet një Polici profesionale, duhet të mos i fusë politika duart për agjenda ditore që të shfrytëzojë si të thuash këtë institucion kaq të rëndësishëm për diçka që s’do duhej asnjëherë”, ka vlerësuar ish-ministri i Punëve të Brendshme.
Edhe avokati Arbër Jashari thekson se këto vendime janë vetëm politike.
“Kosova është përgjegjëse juridikisht që t’i gjykovë vetë veprat penale ose veprat e mundshme penale që ndodhin brenda territorit të saj dhe për këtë janë të autorizuara Prokuroria, Gjykata dhe institucionet e Republikës së Kosovës” , vlerëson Jashari.
Ai tregon se a munden vendet e treta ta implementojnë këtë kërkesë të Serbisë.
“Në momentin kur këta persona gjinden në vendet e treta jashtë Kosovës dhe Serbisë pastaj varet prej shtetit a do të ja kthejë Kosovës apo Serbisë. Në rastin konkret asnjë shtet serioz nuk mundet me vepru në bazë të fletarrestit të Serbisë, absolutisht nëse veç Serbia ka ngritë një fletëarrest ndërkombëtar ose nëse e kërkon me ndihmën juridike ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ndaj pjesëtarëve të Policisë ishin lëshuar edhe më herët urdhërarreste nga Rusia, për angazhimin e tyre në veriun e vendit. /Teve1/