Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka zhvilluar një intervistë për Sky Sports përpara Shtëpisë së Bardhë, ku të premten nga ora 18:00 do të mbahet ceremonia e shortit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ai u pyet për Fisnik Asllanin, ku përzgjedhësi ynë theksoi se talenti i tij meriton të luajë në një nga klubet më të mëdha gjermane, si Bayern Munich ose Borussia Dortmund.
“Ka shumë klube për verën e ardhshme. Ai mund të largohet nga Hoffenheimi për shkak të klauzolës së lirimit dhe tashmë ka raportime për interesimin e Bayernit dhe Dortmundit. Ai duhet ta vlerësojë vetë, por për mua ai është një lojtar shumë i rëndësishëm”.
“Ka cilësi të jashtëzakonshme në zonë, në hapësira të ngushta dhe është shumë inteligjent. Ai i shfrytëzon shpejt hapësirat në zonën e penalltisë dhe shënon gola. Ai është teknikisht shumë i aftë dhe mbi të gjitha shumë i rëndësishëm për një ekip”.
“Ai absolutisht duhet të jetë në njërin prej atyre klubeve. Nuk i di diskutimet e tij, por di vetëm cilësitë e tij dhe për këtë arsye ishte kaq i rëndësishëm ta bindnim se duhej të luante për Kosovën”, ka thënë Foda.
Asllani ka tërhequr edhe vëmendjen e shumë klubeve të mëdha, në mesin e tyre edhe Barcelonës.







