19.2 C
New York
Sunday, April 20, 2025

Buy now

A është duke vepruar jashtëligjshëm Qeveria Kurti me vendimet e fundit?

- Advertisement -

Lufta në mes të Hykmete Bajramit dhe Hekuran Muratit përmes statuseve në rrjetet sociale ka kohë që ka filluar.

“Beteja” e fundit ishte vendimi i Qeverisë për të riemëruar drejtorin e Doganave edhe për një mandat katërvjeçar.

Këtë vendim, Bajrami e konsideroi shkelje të Ligjit për Qeverinë, saktësisht nenin 31, i cili Qeverisë në detyrë i ndalon inicimin e procedurave të reja për emërimin në pozita publike.

Këtë e konteston Murati, që fton të lexohet neni 31, paragrafi 5 i ligjit.

Neni
5. Kufizimet e përcaktuara me këtë nen vlejnë edhe për Qeverinë në situatën siç përcaktohet në nenin 28, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të këtij ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Neni 28: Përfundimi i mandatit të Qeverisë
1. Mandati i Qeverisë përfundon:
1.1. Me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit
.

Këtu, deputetes Bajrami i jep të drejtë avokati Skënder Musa, që thotë se Kurti nuk mund të merrte një vendim të tillë.

“Çdo emërim në pozita të larta është i paqenë; në aspektin juridik quhet ‘Nul’, shqip ‘i paqenë’. Çdo ministër që vjen pasues ose vetë ai nëse zgjidhet mund të konsiderojë që vendimi nuk është marrë fare”, ka thënë Skënder Musa, Avokat.

Astrit Kolaj nga IKD tregon se nëse procedurat për fillimin e emërimit të tij kanë filluar para se Qeveria të jetë në detyrë, atëherë Kurti ka të drejtë të marrë një vendim të tillë.

“Nëse procedurat për ri/emërimin ose emërimin e drejtorit kanë filluar në kohën kur Qeveria ka qenë me kompetenca të plota, atëherë gjithsesi që është vendim ligjor dhe ka pasur kompetencë me marrë një vendim të tillë”, ka thënë Astrit Kolaj, IKD.

Njëjtë thuhet edhe për vendimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që e mori një ditë më herët.

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, në vendimin e publikuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet që është bërë sipas propozimit të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve.
Aty thuhet se Kurti po ri/emëron në pajtim me nenin 268, paragrafi 3 i Kodit Doganor dhe të Akcizave.

Kodi Doganor dhe Akcizave / 268 / paragrafi 3:
3. Drejtori i Përgjithshëm ka mandat katër (4) vjeçar, me mundësi të riemërimit edhe për një mandat, me vendim të Kryeministrit, me propozim të ministrit përkatës të Financave, pa zhvilluar procedurat e rekrutimit të parapara në paragrafin 1 të këtij neni.

Llugaliut mandati katërvjeçar i ka përfunduar më 1 prill, nëse shikohet me marrjen e detyrës.

Kështu që nëse Qeveria e Kosovës është në detyrë nga 23 marsi, i njëjti është ri/emëruar si Qeveri në detyrë.

Por, sipas nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe me Ligjin Vjetor për Buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve në vijim, ku përfshihet edhe mos-inicimi i procedurave të reja për emërim në pozita publike.

Televizioni ka tentuar të marrë edhe një qëndrim nga ministri në detyrë Hekuran Murati, për të marrë përgjigje në lidhje me periudhën e inicimit të procedurave në rastin e drejtorit të Doganave, por ai nuk është lajmëruar në numrin e tij.

Të ngjashme

Të fundit