Ish-sulmuesi i njohur i Liverpoolit, Newcastle United dhe Anglisë, Andy Carroll, ka habitur botën e futbollit duke nënshkruar një kontratë me një klub amator anglez, Dagenham & Redbridge.
Në moshën 36-vjeçare, Carroll vazhdon të sfidojë pritshmëritë dhe nuk ka ndërmend t’i japë fund karrierës së tij. Pas një periudhe të shkurtër në Francë, ku u bashkua me Bordeaux – një klub historik që aktualisht ndodhet në divizionin e katërt – sulmuesi anglez ka vendosur të kthehet në vendlindje, duke pranuar një ofertë të pazakontë në nivelin e gjashtë të futbollit anglez.
Dagenham & Redbridge, një skuadër që nuk gëzon reputacionin e ish-klubeve të tij të mëdha, ka ambicie të qarta për të ardhmen: të ngjitet në ligën e katërt dhe të bëhet pjesë e futbollit profesionist. Për këtë qëllim, Carroll ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, duke u bërë pjesë e projektit të ri të pronarëve aktualë.
Për Carroll, ky hap nuk ka të bëjë me para apo me lavdi. “Nuk ka rëndësi niveli apo ndonjë gjë tjetër, për sa kohë që dal atje dhe luaj futboll, kjo është e gjitha që ka rëndësi. Të vij këtu dhe t’u tregoj njerëzve se luaj për dashuri, jo për para apo nivelin e lojës, është diçka që doja ta arrija”, tha ai pas nënshkrimit të kontratës.
Ai shtoi se projekti i klubit është ajo që e tërhoqi: “Kjo është diçka që mund të jetë fantastike. Qëllimi është ta çojmë klubin nga futbolli amator në atë profesionist”.
Kujtojmë se para 14 vitesh, Carroll u transferua nga Newcastle te Liverpool për më shumë se 40 milionë euro – një nga transferimet më të shtrenjta në Ligën Premier në atë kohë.
Megjithatë, aventura e tij në Anfield nuk rezultoi e suksesshme dhe ai mbeti në histori si një ndër blerjet më të dështuara të klubit.
Pavarësisht ulje-ngritjeve në karrierë, Carroll mbetet një emër që ka lënë gjurmë në futbollin anglez – dhe tani, synon të kontribuojë në një histori të re, duke ndihmuar një klub të vogël të ëndërrojë më shumë.