Shpesh dëgjojmë se të falësh ata që na kanë lënduar është e rëndësishme kur përpiqemi të gjejmë paqen, të ecim përpara dhe të shërohemi.
Megjithatë, psikologia Ramani Durvasula, e specializuar në drejtimin e shërimit nga marrëdhëniet narcisiste, ndau disa këshilla të sinqerta se pse njerëzit nuk duhet të përfshihen në vorbullën e ‘falja është njerëzore’.
Psikologia shpjegoi pse falja ndonjëherë bën më shumë dëm sesa mirë.
“Si mund ta falim dikë që na ka lënduar aq keq?’ u pyet Ramani nga Lewis Howes gjatë një episodi të podcast-it të tij “The School of Greatness”.
Duke dhënë një përgjigje të sinqertë, Ramani theksoi se ne në fakt nuk duhet të falim dhe shpesh nuk i shërben ndonjë qëllimi në rrugëtimin tonë të shërimit pasi jemi në një situatë toksike me një individ që nuk na ka sjellë asgjë veç dhimbjes.
Ramani shpjegoi se ne nuk duhet të ndjejmë detyrim për të falur dikë që na ka “rrëmbyer” shpirtin dhe e ka bërë të pamundur gjetjen e paqes.
“Ndoshta nuk ka falje për këtë”, zbuloi ajo.
“Presioni për të falur ka bërë që disa njerëz të ndihen fajtorë gjatë gjithë jetës së tyre ose të falin para kohe. Ka një ide vërtet interesante që sugjeron se nëse falim dikë që e përsërit fajin, dëmton ndjeshëm mirëqenien e personit që fal”, i tha ajo Howes.
Ajo këmbënguli se të gjitha hulumtimet që pretendojnë se falja të bën të ndihesh më mirë ose të heq një peshë nga supet, janë të gabuara.
Realiteti është se ndonjëherë personi që po falni do të jetë ende në jetën tuaj pasi shumë njerëz nuk janë në gjendje të largohen plotësisht nga marrëdhëniet që kanë krijuar me një narcisist.
“Disa njerëz vazhdojnë të kenë kontakte me anëtarët e familjes. Ata vazhdojnë të qëndrojnë në marrëdhënie. Mund të mos kenë zgjedhje, jo të gjithë mund të largohen. Nuk funksionon kështu shumicën e kohës”, vazhdoi ajo.
Ramani flet për presionin që njerëzit të falin të tjerët, veçanërisht narcisistët. Na është mësuar se duke ofruar falje, ju po punoni për të riparuar marrëdhënien me atë person dhe veten tuaj.
Ajo thotë se ka një ide që tregon se nëse falni dikë, ai person ka të drejtë të kthehet në jetën tënde, edhe pse ky është një vendim që duhet ta marrin vetë personat.
Në një mënyrë të ngjashme, Shannon Thomas, punonjëse sociale, thotë se të qenit eksperte në abuzimin shpirtëror i ka dhënë asaj një panoramë të pastër të viktimave që falin abuzuesit e tyre, duke i liruar ato nga përgjegjësia e lëndimit.
“Kur lind tema e faljes, shumë emocione nxiten për të mbijetuarit e abuzimit. Kjo është veçanërisht e vërtetë brenda një mjedisi fetar ose shpirtëror. Përkufizimi tradicional i faljes përfshin t’i thuash abuzuesit se ai ose ajo është i liruar nga përgjegjësia për dëmin që ata kanë shkaktuar”, thotë Thomas, duke shtuar se ky veprim nuk është absolutisht i dobishëm brenda një mjedisi abuziv. “Njerëzit toksikë duhet të mbajnë dhe të adresojnë përgjegjësinë për veprimet e tyre”.
Ramani pranoi se ajo ka pasur përvoja personale me refuzimin për të falur narcisistët.
Duke folur për përvojën e saj, doktoresha Ramani shpjegoi se ajo ka shumë njerëz në jetën e saj me të cilët nuk flet më dhe është plotësisht mirë që nuk i fal.
“Unë nuk i fal. Nuk do t’i fal kurrë”, tha ajo. “Unë nuk do t’i fal kurrë sepse ajo që ata bënë, më ndryshoi pikëpamjen time për veten time. Kam kaluar vite duke u zvarritur nën ato rrënoja. Unë ende dyshoj në veten time. Unë ende nuk ndihem e sigurt në botë. Ata më hoqën sigurinë. Si ta falësh këtë?”
Howes ndërhyri se përderisa ajo ndjen paqe me veten, atëherë nuk duhet të ketë rëndësi dhe Dr. Ramani pranoi, duke këmbëngulur se ajo ndjen paqe dhe fle mirë natën.
“Dy gjëra mund të jenë të vërteta: ju mund të shëroheni nga keqbërjet që të tjerët ju kanë bërë dhe ende nuk keni dëshirë t’i falni ata”.
Ajo që e shqetëson doktoreshën Ramani, rrëfeu ajo, është se të njëjtët njerëz që e kanë dëmtuar, me siguri po dëmtojnë të tjerët. Ata nuk e kanë marrë mësimin e tyre dhe kanë refuzuar të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre apo edhe të shkojnë në rrugën e vetë-shërimit.
“Mendoj se njerëzit që nuk falin padyshim ndiejnë paqe. Unë mendoj se njerëzit që nuk ndiejnë paqe janë njerëzit që falin dhe vazhdojnë të lëndohen. Shërimi nga abuzimi është individualizimi, të bërit autonom dhe kjo vjen edhe pa falur”.