26.2 C
New York
Monday, September 15, 2025

Buy now

A duhet Ligj për Vlerat e Luftës pas përmbylljes së Speciales?

- Advertisement -

Nga Agron Hoti

Përmbyllja e Gjykatës Speciale do të thotë edhe përmbyllje e shtetësisë së Kosovës. Gjykata Speciale u bë pikërisht për ta penguar këtë proces. U bë për ta dështuar shtetin e Kosovës. Kodi “shkatërrimi 20 vjeçar” ishte në funksion të kësaj. Pas eliminimit politik të Krerëve të UÇK-së, pra shtetbërësve të Kosovës, vendi menjëherë degradoi në krizë të brendshme që polli sanksionet e jashtme që e kthyen vendin së prapthi.
Jo rastësisht Kosova vazhdon të jetë e paralizuar së brendshmi dhe së jashtmi. Fitorja e Kosovës në Gjykatën Speciale do të jetë jetike për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Fitorja aty do të jetë fitore e Perëndimit përballë Lindjes, pra fitore e SHBA-së përballë Rusisë. E fitorja atje, na i jep ca detyra në shtëpi.
Deri me sot vlerat e luftës së UÇK-së i kanë rezistuar fuqishëm Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut, EULEX-it dhe atyre të Kosovës. Do t’i rezistojnë edhe Gjykatës Speciale, sidomos tash kur janë duke u dëgjuar dëshmitë perëndimore. Historia nuk njeh raste kur një popull, për shkak të luftës së tij çlirimtare, të jetë shpallur fajtor nga bota.
Historia nuk do të zhgënjejë as në Kosovë. Sepse sikur të ishin dënuar luftërat çlirimtare, atëherë shumë popuj e shtete as që do të ekzistonin. E vërteta është se historia ka bërë të kundërtën: i ka glorifikuar dhe lartësuar luftërat çlirimtare. Mbi këtë bazë janë çliruar popujt, janë ndërtuar kombet dhe janë themeluar shtetet.
Edhe Kosova ka vepruar sipas historisë. Luftën çlirimtare nuk e ka zgjedhur nga dëshira, por sepse e kishte ardhur thika në fyt. Asnjë popull në glob nuk është çliruar pa luftë. Pastaj, asnjë popull nuk është çliruar pa ndihmën nga jashtë. Kosova ka rezistuar, është mobilizuar dhe është çliruar falë rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së. Pikërisht falë kësaj pastërtie, drejtuesit e UÇK-së ia patën dalë që ta bënin për vete tërë botën demokratike.
Mbi këtë bazë Perëndimi nga viti 1991 deri në 2001 e kishte mbështetur çlirimin e Kosovës dhe e kishte avansuar pozitën e shqiptarëve në Ballkan si asnjëherë më parë në histori. Sot, shqiptarët zyrtarisht jetojnë nën ombrellën e sigurisë së Perëndimit dhe snjëherë nuk kanë jetuar më mirë dhe me kaq shumë begati. E për gjithë këtë, kontribut historik ka dhënë tërë vija e pashkëputur patriotike shqiptare që kulmoi me UÇK.
Prandaj, Kosova e ka jetike që pas përmbylljes së Gjykatës Speciale menjëherë ta nxjerrë një Ligj për Vlerat e Luftës, përmes të cilit do të ruhej përgjithmonë kujtesa historike, do të parandaloheshin shpifjet dhe fyerjet e vlerave të luftës dhe do të ruante rrëfimin e drejtë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e kësaj toke të larë për shekuj të tërë me gjak e sakrificë të paparë njerëzore. Nëse s’e ruajmë historinë sot, do të na harrojë nesër. A.H.

Të ngjashme

Të fundit