Partitë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili do të mbahet sot (e shtunë) në orën 16:00.
Pjesëmarrjen në takimin me Kurtin e kanë konfirmuar nga PDK. Kjo është bërë e ditur nga deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda.
“Kryetari jonë z.Krasniqi e përfaqëson partinë nesër në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha Gruda.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes deputetes Hykmete Bajrami, ka konfirmuar pjesëmarrjen, pavarësisht siç tha ajo, mungesës së bashkëpunimit nga Vetëvendosje. LDK-ja do të marrë pjesën në takimin me Kurtin, pavarësisht se siç thanë ata ky takim është thirrur për “show mediatik”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Megjithatë, këtë parti nuk do ta përfaqësojë kryetari Ramush Haradinaj.
Edhe Nisma Socialdemokrate e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me Kurtin.
Takimi është thirrur pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.