Verdikti i Gjykatës së Apelit që konfirmoi aktvendimin e Themelores për shtyrjen e aplikimit të tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike, ka krijuar një situatë të paqartë.
Përderisa vet rregullatori i energjisë ka thënë se do ta shtyjë ekzekutimin e vendimit për tarifat e shtrenjta, në anën tjetër ka kërkuar mendim juridik se si duhet ta implementojë atë vendim.
Teksa opozita ka kërkuar që qytetarët të cilët deri më tash kanë paguar me tarifat e shtrenjta të rimbursohen.
Për avokatin Asdren Bytyçi ligji nuk e parasheh rimbursimin përveç se nëse atë e kërkon gjykata me vendim të posaçëm.
“Një situatë të tillë të rimbursimit ligji nuk e rregullon mirëpo në këtë situatë pasi që Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit përfundimisht e pezullon vendimin lidhur me caktimin e tarifave të reja, ZRRE-ja duhet që të zbatojë vendimin paraprak mbi bazën e tarifave paraprake që kanë qenë në fuqi deri në hyrjen në fuqi të vendimit të ri”, thotë avokati.
Pas marrjes së këtij vendimi, KOSTT, paralajmëroi se vendimi i Apelit rrezikon sigurinë e operimit të sistemit, prandaj po i shohin si të domosdoshme tarifat me rritje e subvencionimin e energjisë.
Këto pasoja po i paralajmëron edhe njohësi i fushës së energjetikës, Agron Dida.
“Çdo intervenim në vendimet e ZRRE-së është shumë shumë i gabueshëm dhe i rrezikshëm. Mundet me destabilizu sistemin tonë energjetik, buxhetin tonë gjithashtu. Në gjendje lufte buxheti i shtetit do të jetë i ngarkum edhe me gjendje të tjera edhe njerëzit duhet të mësojnë se situatë është e tillë që duhet të kursehet”, thotë Dida
Në shkurt të këtij viti ZRRE-ja miratoi vendosjen e bllokut tarifor në 800 kwh. Me tarifat e vendosura asokohe, konsumatorët që shpenzonin mbi këtë shifër, paguanin më shtrenjtë.