Të enjten me fillim nga ora 17:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka thirrur protestë gjithëpopullore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale.
E, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi të mërkurën në emisionin “Ditari” në Tëvë1, nuk e ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së anëtarëve të këtij subjekti politik në protestë.
“Sa i përket asaj se a do ta mbështesë ose jo LVV-ja më shumë mendoj që është e rëndësishme që këta të cilët e kanë promovuar e kanë votuar e kanë themeluar duket se po i bashkohen Vetëvendosjes në kundërshtimin e saj konsistent ndaj kësaj gjykate. Unë besoj se do të ketë persona nga VV-ja sepse besoj se kjo protestë është jopartiake, por protestë qytetare kundër Gjykatës Speciale. Nuk mund të flas për individë ama besoj që po do të ketë, por nuk mund ta di sepse ne duhet ta mbajmë fjalën dhe nuk i kontrollojmë njerëzit një nga një”, ka thënë Rrustemi.