Deputetja dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se në përbërjen e re të mundshme të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka propozuar që të jetë pjesë e ekzekutivit.
Kusari-Lila thotë se nuk ka asgjë definitive.
Ajo theksoi se nuk ka asnjë insistim personal për poste qeveritare, pasi, sipas saj, qëllimi kryesor mbetet kauza e përbashkët e Vetëvendosjes.
“Një herë më është ofruar pozita e ekzekutivit, të cilën e kam refuzuar në Qeverinë Kurti I, nuk e kam kërkuar dhe për këtë në diskutime ka qenë, në kombinim pra kemi biseduar me kryeministrin Kurti nuk ka asgjë definitive – ka qenë propozim i tij prapë në përbërjen e re, por nuk ka pasur asgjë definitive. Prapë nuk ka asnjë insistim nga ana ime. Varet shumë nga mënyra se si e sheh Kurti përbërjen e qeverisë. Ne jemi në një mision të përbashkët, arsye që s’kam kërkuar post është se ne jemi të rreshtuar në kauzë të përbashkët, e cila shkon përtej interesit personal apo pozicionit personal”, deklaroi ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.






