Home Lajme Botë A do të hyjë në histori? India synon që sot ta “prekë” polin jugor të Hënës

A do të hyjë në histori? India synon që sot ta “prekë” polin jugor të Hënës

0
A do të hyjë në histori? India synon që sot ta “prekë” polin jugor të Hënës

India synon që të hyjë në histori të mërkurën përmes misionit të saj të tretë hënor, që pritet të lëshohet në polin jugor të Hënës.

Nëse “Chandrayaan-3” bëhet mision i suksesshëm, India do të jetë shteti i parë që lëshon një sondë afër polit jugor të Hënës, që është pak i eksploruar, raporton televizioni BBC.

Njëri nga qëllimet kryesore të misionit është hulumtimi për akull me bazë uji, për të cilin shkencëtarët thonë se do të mund ta mbështeste banimin e njerëzve në Hënë në të ardhmen.

Përpjekja e Indisë vjen vetëm disa ditë pas përplasjes së anijes kozmike “Luna 25” të Rusisë gjatë kohës kur ajo po mundohej të lëshohej në zonën e njëjtë që e synon India.

Nëse arrin sukses, India do të bëhet vetëm shteti i katërt në botë që arrin lëshim të ngadalshëm në Hënë. Më parë, vetëm ShBA-ja, Bashkimi Sovjetik dhe Kina kanë lëshuar pajisje afër ekuatorit të Hënës.

Përpjekja e Indisë për ta lëshuar misionin “Chandrayaan-2” afër polit jugor të Hënës më 2019 ishte e pasuksesshme. Anija kozmike ishte përplasur në sipërfaqen e Hënës.

Organizata Indiane për Hulumtime Hapësinore ka bërë të ditur se planifikon që lëshimin e misionit në Hënë ta transmetojë drejtpërdrejt dhe miliona njerëz pritet që ta përcjellin atë.

Drejtori i kësaj organizate, Sredhara Panicker Somanath, ka thënë se ka besim që misioni “Chandrayaan-3” do të bëjë lëshim të suksesshëm në Hënë.

Ai tha se organizata i ka studiuar me kujdes të dhënat nga përplasja e misionit “Chandrayaa-2” dhe se ka kryer ushtrime simuluese për t’i rregulluar defektet.

Exit mobile version