Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut në kuadër të procesit të dialogut, konkretisht për të diskutuar për planin evropian të cilin e kishin pranuar më 27 shkurt në Bruksel, por nuk e kishin nënshkruar.
Ky takim sikurse edhe atë të mëhershmit do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe do të mbikëqyrët nga ShBA-ja, raporton Scanner.
Në Ohër është bërë me dije se do të jenë prezent zyrtarët evropianë, Josep Borrerell dhe Miroslav Lajçak si dhe emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Rreth takimit , Zyra e Bashkimit Evropian ka njoftuar se takimet e ndara mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00.
“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq”, ka njoftuar BE-ja.