Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi Muçaj ka dhënë sërish një sinjal afërsie me partinë e parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjen Vetëvendosje. Deputetja e re nga radhët e LDK-së, Kabashi-Muçaj të hënën e 16 qershorit është takuar me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti në objektin e Qeverisë.
Kabashi-Muçaj, e shoqëruar nga asistenti i saj Islam Qerimi është takuar me Kurtin në objektin e Qeverisë të hënën rreth orës 20:00, merr vesh Gazeta Online Reporteri.net.
Deputetja e LDK-së fillimisht e ka mohuar takimin me Kurtin.
“Jo, as s’kam pasur takim, as nuk ka të bëjë me votën për, s’ka votë prej meje”, tha ajo për Reporteri.net.
Pas instistimit të mediumit se “ju jeni parë bashkë me asistentin tuaj Islam Qerimi duke hyrë në objektin e Qeverisë, ajo “e zënë ngusht”, s’e ka mohuar takimin, por votën e saj pro Kurtit si e vetme, jashtë linjës së partisë.
“Nuk ka votë prej meje individual për Qeverinë Kurti”, tha Kabashi-Muçaj, ndërsa e pyetur për kohëzgjatjen e takimit, ajo ka ndërprerë telefonatën.
Për takimin, Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë një përgjigjje edhe nga ana e Qeverisë, përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Ndërkohë, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka ka thënë se nuk ka informacione mbi këtë takim, por duke shtuar se do të interesohet. Më pas i njëjti, i kontaktuar sërish, nuk i është përgjigjur thirrjeve të Gazetës Online Reporteri.net.
Emri i Kabashi – Muçajt ka kohë që përflitet si një prej deputeteve që mund ta ‘tradhtojë” Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të votojë pro Kurtit.
Pikërisht një muaj më parë ajo kishte shfaqur ajo kishte bërë thirrje për reflektim nga të gjitha subjektet politike për të tejkaluar ngërçin institucional.
“Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar”, ka shkruar ajo.
Ajo e ka cilësuar si të papranueshme situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka theksuar se është e padrejtë që barra e zhbllokimit t’i lihet vetëm një partie politike.
“Procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për ta çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend.