Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, për FrontOnline ka folur pas aksionit të Policisë dhe Prokurorisë në Ministrinë e Bujqësisë, duke thënë se për LDK-në kjo nuk ishte aspak befasi.
Ajo akuzoi Qeverinë Kurti për dështime të njëpasnjëshme dhe skandale të shumta.
“Pas asaj që u shpërfaq rreth kontratave në Ministrinë e Bujqësisë, për ne nuk ishte absolut asnjë befasi. Për Qeverinë Kurti që ka premtuar qeveri me duar të pastra, kjo është demantuar për plot katër vitet e kaluara,” tha Bajrami.
Sipas saj, qeverisja aktuale është përfshirë në skandale të shumta financiare që kapin shifra marramendëse.
“Tashmë kemi skandale për mbi 250 milionë euro të tenderave njëburimor, e kemi skandalet e mëdha që mbulojnë secilën fushë, si në energjetikë. Nuk ka fushë që këta nuk e kanë keqpërdor, që nuk kanë keqqeverisur dhe gjithashtu kanë tejkaluar autorizimet që i kanë pasur,” deklaroi deputetja e LDK-së për FrontOnline.
Ajo shtoi se është e lumtur që institucionet e drejtësisë po veprojnë.
“Jam e lumtur që organet e rendit me këtë që po bëjnë…” – u shpreh Bajrami, duke nënkuptuar se këto veprime janë të nevojshme për të rikthyer besimin në institucione.