Ish-kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj, ka siguruar lirinë përmes një garancie prej 50,000 eurosh. Sipas vendimit, 20,000 euro janë siguruar nga familja e tij, ndërsa pjesa tjetër prej 30,000 eurosh është ofruar nga një person, identiteti i të cilit mbetet i redaktuar për publikun.
Mbrojtja e Smakajt propozon një garanci totale prej 50,000 eurosh si siguri që z. Smakaj do të marrë pjesë në procedurat gjyqësore kur të kërkohet, prej të cilave 20,000 euro do të sigurohen nga familja e tij dhe 30,000 euro nga [REDACTED]. Mbrojtja e Smakajt gjithashtu ofron informacion mbi disponueshmërinë e menjëhershme të mjeteve financiare”, thuhet në vendim.
Mbrojtja ka argumentuar se këto mjete janë menjëherë të disponueshme për të garantuar pjesëmarrjen e tij në proces.
Për Fadil Fazliun është ofruar një dorëzani prej 40,000 eurosh. Interesant është fakti se kjo shumë është ofruar tërësisht nga një person i tretë (emër i redaktuar).
“Mbrojtja e Fazliut propozon një garanci prej 40,000 eurosh që të ofrohet nga [REDACTED], e cila, “siç kontekstualizohet nga gjendja financiare e vetë z. Fazliu” (dmth. “shuma e ofruar është shumëfish më e madhe se vlera totale e pasurisë së z. Fazliu”), do ta “përforconte edhe më tej respektimin [e kushteve]””, thuhet në vendim.
Gjykata ka vlerësuar se kjo shumë është “shumëfish më e madhe se vlera totale e pasurisë së vetë z. Fazliu”, gjë që sipas mbrojtjes, shërben si një garanci e fuqishme se ai nuk do t’i shkelë kushtet e lirimit, pasi humbja e këtyre parave do të ishte një goditje e rëndë financiare.
Përveç Smakajt dhe Fazliut, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se me kushte të ngjashme është liruar edhe Haxhi Shala. Për të gjithë të liruarit, Gjykatësi ka vlerësuar se mbajtja e mëtejshme në paraburgim nuk ishte më proporcionale, duke marrë parasysh ndryshimin e rrethanave dhe fazën e procesit gjyqësor.






