Ky rrugëtim nisi në rrethana të vështira, me hapa të guximshëm dhe shumë sakrificë. Nga puna vizionare e Agim Bytyqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohën e okupimit, te rezistenca e palëkundur nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, më pas mbijetesa e futbollit nën udhëheqjen e Sabri Hashanit dhe deri te periudha e lavdishme e ndërkombëtarizimit me Legjendën Fadil Vokrri në krye – të gjitha këto faza ndërtuan themelet e fuqishme mbi të cilat qëndron sot futbolli ynë.

Pas nëntë vjetësh si anëtare e barabartë e familjes më të madhe të futbollit botëror, Kosova është shndërruar në një histori suksesi. Me përkrahjen e UEFA-s e FIFA-s dhe me angazhimin e palodhur të të gjitha strukturave të FFK-së, kemi arritur të zhvillojmë futbollin në të gjitha nivelet – nga grupmoshat, te futbolli i femrave, infrastruktura moderne e deri te ngritja e standardeve profesionale.

Kjo ditë është edhe një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që dhanë kontribut ndër vite – futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh, administratorë, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme e të sinqertë ndaj vendit tonë.

Jam veçanërisht i nderuar që pikërisht sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, ndodhem në Paraguai për të përfaqësuar Kosovën në Kongresin e 75-të të FIFA-s – një moment që pasqyron më së miri rrugëtimin tonë të jashtëzakonshëm dhe pozitën e merituar që kemi fituar në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, uroj gjithë komunitetin e futbollit dhe qytetarët e Kosovës për këtë përvjetor të veçantë. Të bashkuar, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Kosovë të fortë – në fushën e gjelbër dhe përtej saj.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi – bashkë për futbollin!

Me respekt,
Agim Ademi
President i FFK-së