10.8 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Platforma Hibrid: Dezinformatat më të mëdha në Facebook e TikTok për klikime, Kurti e Vuçiq më të përfolurit

- Advertisement -

Platforma për kontroll të fakteve, Hibrid.info ka prezantuar raportin e dytë vjetor për çrregullimin informativ në Kosovë “Prapa Ekraneve: Adresimi i Sfidave të Informimit në Kosovë II”, raporton Ekonomia Online.

Hulumtuesi Festim Rizanaj, i cili prezantoi raportin, tha se në periudhën një vjeçare korrik 2023 – qershor 2024, janë gjetur 818 lajme me përmbajtje keqinformuese.

Raporti ka gjetur se artikujt e kategorisë “clickbait”, ku hyn praktika e shkrimit të titujve të bujshëm ose mashtrues për të tërhequr klikime, kanë mbizotëruar më së shumti në raport me kategoritë tjera vlerësuese.

Siguria, çështjet sociale dhe politika janë tri fushat kryesore ku është bërë më së shumti keqinformim në rrjete sociale dhe në media, ndërsa personalitetet më të përfolura ishin Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq.

Këto statistika, siç tha Rizanaj, rrjedhin nga analiza e disa përmbajtjeve, 91 për qind prej tyre në gjuhën shqipe, 8 për qind në gjuhën serbe dhe 1 për qind anglisht.

“Ky raport vjetor ka gjetur 818 përmbajtje keqinformuese në mediat sociale. Gjetjet janë bërë në bazë të rëndësisë dhe vlerës së shpërndarjes së përmbajtjes. 91 për qind është në gjuhën shqipe, tetë për qind në serbisht dhe një për qind anglisht. Tek keqinformimi nuk ka dëm të madh kurse tek disinformimi po se është e qëllimshme. Nuk cilësohen të gjitha lajme të rreme por i karakterizon ato. Ato ndahen në kategoritë për vlerësimin e lajmit. Gjatë periudhës korrik 2023 – qershor 2024, artikujt e vlerësuar në kategorinë “Clickbait” kanë mbizotëruar më së shumti në raport me kategoritë tjera vlerësuese të publikuara dhe të shpërndara nga publikues të ndryshëm. Ato janë në vendin e parë me 22% gjithsej, të cilat pasohen nga artikujt keqinformues të vlerësuar si “dezinformatë” me 21%.”, ka thënë Rizanaj.

Sa i përket keqinformimit lidhur me luftën në Palestinë, Rizanaj tha se përmbajtja keqinformuese është publikuar kryesisht në rrjete sociale, ku ka pasur video, fotografi të ndryshme që shumë shpesh kanë qenë nga konflikte të tjera dhe jo në Palestinë.

Pas çështjes së Palestinës, janë rastet tragjike ato të cilat janë përdorur për të keqinformuar dhe më pas informacionet rreth veriut të Kosovës, sidomos lidhur me rastin që ndodhi në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar.

Sipas raportit, edhe çështja armatosjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sidomos pas blerjes së dronëve “Bayraktar” nga Turqia, por edhe marrëveshjes për raketet “Javelin” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), nxitën qarkullimin e shumë dezinformatave.

“Më së shumti artikuj keqinformues ka në fushën e kronikës së zezë dhe temave sociale që nxisin kureshtjen e lexuesve për të klikuar në publikime të tilla. Këta artikuj kryesisht trajtojnë tema të rasteve tragjike, vdekjeve, kushteve klimatike, tërmete, produkte ushqimore, raste të dhunës, aksidente, çmimet dhe tema të tjera sociale apo të kronikës së zezë”.

“Pjesa më e madhe e dezinformatave janë publikuar në shqip prej 85%, në kuadër të të cilave përfshihen publikuesit në gjuhën shqipe në mediat sociale (61%) më me së shumti dezinformata të publikuara, mediat reale (12%) dhe mediat e dyshimta (12%) . Rasti në Banjskë ka pasur dezinformata të ndryshme. Por, përveç kësaj ka qenë edhe zhvillimet në veri informata të paverifikuara dhe ka zhvilluar narrative kryesisht në mediat serbe”, ka thënë tutje ai.

“Konflikti Izrael-Hamas, ka nxitur publikuesit në shqip që të krijojnë dhe shpërndajnë më së shumti artikuj me përmbajtje keqinformuese përgjatë kësaj periudhe. Në vendin e dytë janë rastet tragjike me përmbajtje keqinformuese prej 6.5%, e cila pasohet nga veriu me 6.3% dhe raportime të ndryshme keqinformuese në lidhje me armatosjen e Forcës së Sigurisë prej 4%.”

Tutje, ai ka thënë se dezinformata më të mëdha po ndodhin në rrjetin social në Facebook dhe TikTok.

“Gjatë kësaj periudhe vjetore, sa ipërket mediave sociale, publikues të ndryshëm në Facebook, në shqip, kanë publikuar më së shumti artikuj keqinformues prej 38% gjithsej, për tema jo vetëm për Kosovën, por edhe për zhvillime ndërkombëtare. Në vendin e dytë janë publikimet keqinformuese në TikTok me 14%, ndërsa mediat tjera sociale kanë dukshëm perqindje më të ulët prej 4% (Telegram, X, YouTube, Instagram dhe Reddit)”.

“Institucionet më të përfolura janë FSK, Policia e Kosovës, ndërsa personalitet më të përfolura janë Albin Kurti dhe Vuçiq. Qeveria e Kosovës miratoi një projektligj për KPM-në, ka pasur vërejtje dhe rekomandime nga Komisioni Evropian”, shtoi ai.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit