Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i fabrikuar tash e 15 vjet nga zyrtarët e kësaj partie e kanë përditshmërinë e qytetarëve në një vend të frikës.
Halimi përmes një postimi në Facebook ka thënë se nga ky ambient i dhunshëm dhe të folurit për luftën, me lehtësi të padurueshme, fatkeqësisht qytetarët tanë po ikin çdo ditë.
Ajo gjithashtu ka thënë se dëmet e shkaktuara pikërisht nga politika e Albin Kurtit do të jenë vështirë të riparueshme.
Halimi në fund ka përmendur edhe dhunën në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se është veprim i gjuhës së partisë së pushtetit.
Postimi i plotë:
Qytetarët tanë meritojnë një mendësi të re politike, ku fokusi do të përqendrohet në politika publike të avancuara për përmirësim të jetës së tyre. Diskursi polarizues, gjuha e urrejtjes e denigrimet e fabrikuara tash e 15 vjet nga zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje – sikurse edhe komunikata e sotshme – karshi oponentëve politik dhe mendimit kritik, e kanë shndërruar përditshmërinë e qytetarëve në një vend të frikës.
Nga ky ambient i dhunshëm dhe të folurit për luftën, me lehtësi të padurueshme, fatkeqësisht qytetarët tanë po ikin çdo ditë.
Realitetet paralele e fiktive të krijuara nga partia në pushtet, e bashkë me to edhe investimet e mëdha digjitale duke krijuar profile të rrejshme, ku me një ‘click’ fyerja e poshtërimi bëhen mënyrë jetese për mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherë e përgjithmonë duhet të marrin fund. Dëmet e shkaktuara pikërisht nga kjo politikë e Albin Kurtit do të jenë vështirë të riparueshme.
Dhuna në Kuvendin e Kosovës është veprimi i gjuhës së partisë në pushtet e projekti politik i Kurtit për vendin, po bënë hapa prapthi ashtu siç i shkon për shtati vetëm atij, porse vendi nuk po përparon, sepse ai me një kastë popullistësh po ja vjedhin kohën dhe miqtë Kosovës!