Home Ballina Kosova dhe Serbia presin ftesën e BE-së për takimin e radhës, 22 prilli ende i pakonfirmuar

Kosova dhe Serbia presin ftesën e BE-së për takimin e radhës, 22 prilli ende i pakonfirmuar

0
Kosova dhe Serbia presin ftesën e BE-së për takimin e radhës, 22 prilli ende i pakonfirmuar

Me datën 22 të këtij muaji është paralajmëruar një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në lidhje me këtë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë.

Petkoviq tha se gjithçka varet nga Bashkimi Evropian, pasi ata janë mikpritësit e të gjitha takimeve në Bruksel.

“Tani gjithçka varet nga Bashkimi Evropian, ata janë mikpritësit e të gjitha atyre takimeve në Bruksel. Ata dërgojnë një ftesë zyrtare, ne i përgjigjemi. Natyrisht, është e nevojshme të bien dakord për të gjitha kushtet e Lajçakut dhe Borrellit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelin e lartë. Nga ana tjetër, Vuçiq dhe Kurti. Kur të arrihet gjithçka, pres që në periudhën e ardhshme të vijë një ftesë e re për një takim të nivelit të lartë. Ne do t’ju njoftojmë si gjithmonë, kur kjo të ndodhë”, ka thënë Petkoviq në një intervistë për Blicin serb.

 

 

Krahas kësaj, Paloma Hall Caballero i tha Gazetës Blic se pas takimit të fundit mes Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel, palët ranë dakord për tekstin e Deklaratës së Personave të Zhdukur.

Ajo shtoi se teksti i Deklaratës së Personave të Zhdukur do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë, teksa nuk zbuloi kur do të jetë kjo datë.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel të martën (4 prill) për takimin e parë të Dialogut pas takimit të fundit të nivelit të lartë në Ohër.Ata diskutuan çështje të shumta në rendin e ditës, duke përfshirë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit, si dhe çështjet aktuale të ngutshme si energjia dhe targat”, tha Paloma Hall Caballero.

“Si hap i parë dhe në përputhje me Aneksin, Palët ranë dakord për tekstin e Deklaratës së Personave të Zhdukur, i cili do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë. Ne do të shpallim datën e këtij takimi kur është e nevojshme”, shtoi ajo.

Paloma Hall Caballero thotë se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë, teksa shtoi se nevojiten më shumë bisedime për të gjitha çështjet.

“Është e qartë se nevojiten më shumë bisedime për të gjitha çështjet në rendin e ditës për të arritur përparim, dhe palët ranë dakord të takohen përsëri së shpejti.BE pret që Kosova dhe Serbia të respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë”, tha ajo.

“Palët gjithashtu duhet të shmangin çdo retorikë dhe veprime kundërproduktive/jokonstruktive që kanë potencialin të prishin zbatimin dhe të rrezikojnë stabilitetin në terren”, tha Hall Caballero.

Exit mobile version