Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka mbajtur një konferencë për media ku ka paraqitur dështimet e qeverisjes së Shpejtim Bulliqit të LVV-së në këtë komunë.
Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka thënë se qeverisja e LVV-së, e cila ka hyrë në koalicion me PDK-në në këtë komunë, përveç se ka dështuar të realizojë premtimet elektorale, vetëm sa u ka bërë dëm llapjanëve.
Ai ka vënë në dukje ngecjet në arsim, në gjendjen e shëndetësisë, problemet komunale me pastërtinë si dhe mungesës së ligjshmërisë në vendimet e marra nga kryetari Bulliqi.
Hyseni thotë se mungesa e transparencës dhe punësimet me interesa partiake po e “ngulfatin” Podujevën.
Ai ka përmendur rastet e nepotizmit në arsim, në ndarjen e bursave, dhe transformimet brenda natës të punonjësve të thjeshtë të shëndetësisë në kryeinfermierë.
“Dështim në premtimin për Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës, dështim për Stacionin e Autobusëve, dështim për Qendrën Rinore… Po të mos ishte për donatorët tanë nga Katari, humanistët Halil Kastrati dhe Elvis Naçi, të cilët i falënderoj nga zemra, nuk do të ishte prerë asnjë shirit” ka thënë ndër të tjerash Hyseni.
Ai thotë se LDK madje ka bërë edhe kallëzim penal në shkeljet që po bëhen në këtë komunë.
Tutje, edhe asamblistë të Lidhjes në Podujevë kanë riktheksuar problemet më të mëdha me të cilat përballën llapjanët në sektore të ndryshme.
Arjeta Salihu-Abazi thotë se punonjësit e administratës janë duke u përballur me klimë aspak kolegiale, teksa po ka keqpërdorime të veturave zyrtare.
“Si pasojë e klimës aspak kolegiale të krijuar në komunë, shumë punonjës po e lënë punën dhe po inkuadrohen në sektor privat” tha ajo.
Në anën tjetër, Qendrim Softolli theksoi problemet në arsim, me shkollat që kanë muaj pa drejtorë.
Teksa është vënë në dukje mungesa e transparencës me qytetarët, Valon Demolli ka folur për të gjitha dështimet që e kanë karakterizuar qeverisjën.
“Projekte të planifikuara me buxhetin e Komunës e që qeverisja ka dështuar t’i realizojë… Si askund tjetër, projekti tenderohet pa u përcaktuar lokacioni, siç ka ndodhur me Stacionin e Autobusëve. Projekte të pafilluara e shpenzime për dreka të kamofluara” tha Demolli.LDK në Podujevë u thotë se do të jetë pranë qytetarëve, për të realizuar kërkesat e tyre.