Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu nuk pritet që të falë ndonjë të burgosur në burgjet e Kosovës brenda një afati të shkurtë.
Siç ndodhi edhe vitin e kaluar, presidentja Osmani zgjodhi që të mos falë asnjë nga të burgosurit e Kosovës të cilët vuajnë dënimet e tyre për veprat me të cilat ngarkohen nga organet e hetuesisë.
Por pavarësisht se vitin e kaluar nuk pati asnjë falje për ta nga ana e presidentes Osmani, këta të fundit kanë vazhduar me kërkesat e tyre.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës, nga ku është theksuar se ka një numër mjaft të lartë të kërkesave që janë bërë për falje nga ana e Presidentes.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës u tha se kanë pranuar dhe kanë përcjellur për procedurë të mëtutjeshme nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani 176 kërkesa për falje.
“Në Shërbimin Korrektues të Kosovës kemi pranuar dhe kemi përcjellë për procedure të mëtutjeshme nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani 176 kërkesa për falje”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, kërkesat për falje pranohen dhe përcillen gjatë gjithë vitit.
“Kërkesat për falje në bazë legjislacionit në fuqi pranohet dhe përcjellën për procedurë të mëtutjeshme gjatë gjithë vitit”, u tha tutje.
Për dallim nga presidentët e tjerë të vendit, të cilët për çdo vit falën dikë prej të burgosurve, një gjë të tillë nuk e ka bërë ende asnjëherë të vetme Osmani.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga Zyra për Informim e Presidentes së Kosovës, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
E për çështjen e njëjtë, vitin e kaluar nga Presidenca kanë deklaruar se ka një arsye se pse ka ndodhur kjo gjë.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, këshilltari për media në kuadër të Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina pati deklaruar se Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e kërkesave për falje është jofunksional.
“Është jofunksional, ngase i ka skaduar mandati. Kërkesat për falje, të cilat pranohen nga Zyra e Presidentes, shqyrtohen nga ky Komision, i cili është në themelim e sipër”, tha Kupina.
Gjithashtu ai pati thënë se pasi që të konstituohet dhe pas shqyrtimit të kërkesave, Komisioni i propozon Presidentes faljen ose jo të personave të cilët kanë kërkuar falje presidenciale.
“Pasiqë të konstituohet dhe pas shqyrtimit të kërkesave, Komisioni i propozon Presidentes faljen ose jo të personave që kanë kërkuar falje presidenciale”, tha ai.
Vjosa Osmani të drejtën e faljes së të burgosurve nuk e pati shfrytëzuar as gjatë kohës sa ishte ushtruese e detyrës, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë ajo nuk e mori një vendim të tillë, për t’u mundësuar faljen të burgosurve.
Kërkesën për falje në vitin 2020 e patën dërguar gjithsej 399 të dënuar të cilët po vuanin burgun, për vepra nga më të ndryshmet.
E lidhur me këtë, Kryetari i Komisionit për Vlerësim dhe Shqyrtim të faljes së dënimeve, Hasan Shala asokohe pati thënë se Osmani nuk kishte dërguar asnjë kërkesë të të dënuarve për shqyrtim.
Kurse ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi pati falur dy vite radhazi ish të burgosurit, asokohe të dënuar. Katër të parët që patën pranuar lajmin për falje të dënimit ishin Arben Kiçina, Arsim e Burim Ramadani si dhe Marko Sabiq.
Falja nga Presidenti Hashim Thaçi ishte konfirmuar më 29 dhjetor të vitit 2017. Të njëjtën gjë, Hashim Thaçi e pati bërë përsëri, më 31 dhjetor të vitit 2018.
Asokohe Thaçi pati falur Katrlinë Racajn, Nexhmi Shabanin e Elbasan Shatrin, me anë të dekretit të faljes.
E vitin që lamë pas dhe këtë vit nuk pati këso “dhurata” për të dënuarit, ndonëse qindra persona e bëjnë vazhdimisht një kërkesë të tillë, të faljes nga Presidenca e Kosovës.
Në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës është bërë e ditur se numri i të burgosurve së fundi ishte 1 mijë e 471 persona të burgosur në vend, ku shtatë prej tyre tashmë janë liruar