Në Qendrën Rockefeller në New York ka arritur Pema e Krishtlindjeve, duke sinjalizuar zyrtarisht fillimin e sezonit të festave të fundvitit.
Pema, një bredh norvegjez rreth 22.5 metra u transportua deri në sheshin kryesor të Manhattanit, ku u ngrit me ndihmën e një vinçi.
Sipas msn, për të zbukuruar pemën e madhe do të përdoren rreth 8 kilometra drita me mbi 50,000 llamba shumëngjyrëshe LED, ndërsa diametri i saj arrin deri në 13 metra. Si kurorë, ajo do të ketë një yll të veçantë Swarovski me 3 milion kristale shkëlqyese.
Pema e dhuruar nga familja Albert nga West Stockbridge, Massachusetts, u pre të enjten në mëngjes dhe u ngarkua në një kamion për një udhëtim prej 225 kilometrash.
Kjo është hera e parë që një pemë e Qendrës Rockefeller vjen nga Massachusetts që nga viti 1959.
Në New York, pemën e pritën turma të gëzuara që filmonin dhe fotografonin nga pas barrierave, ndërsa ekipet e punës bashkangjitën kabllot dhe e vendosën atë në bazën e saj.
Pas përfundimit të festave, në janar, pema do të pritet dhe do të përdoret si lëndë druri për organizatën Habitat for Humanity, për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpive për ata që kanë nevojë.