Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Cermjan të Gjakovës, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës. Rasti ka tronditur familjen Kurhasku dhe gjithë fshatin, ndërsa tashmë ka nisur hetimi nga Policia dhe Prokurori i Shtetit.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se viktima është Leonora Kurhasku, 40-vjeçare, e cila dyshohet se i dha fund jetës duke u hedhur nga minarja e xhamisë së fshatit.
Ky rast i rëndë ndodhi në orët e pasdites dhe Policia u njoftua menjëherë pasi viktima u gjet pa shenja jete te xhamia.
Si rezultat i intervenimit, ekipi mjekësor ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë dhe e ka transportuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës, por fatkeqësisht vetëm është konfirmuar vdekja e saj, thonë tutje të njëjtat burime.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e këtij akti tragjik.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe është hapur rasti si ‘Hetim i vdekjes’.
