Ndërsa futemi në gjysmën e dytë të vitit 2025, Kosova po i rikthehet trajektores eksponenciale të inflacionit – e shtyrë, sipas njohësve të ekonomisë, jo vetëm nga presionet inflacioniste globale, por edhe nga zhvillimet e brendshme, në dritën e shtrenjtimit të fundit të tarifave të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në qershor u rrit me 4.3 për qind në bazë vjetore. Krahasuar me muajin maj 2025, IHÇK ishte më e lartë në një mesatare prej 0,7 për qind.
Muaji | IHÇK vjetore |
---|---|
Qershor 2025 | 4.3% |
Maj 2025 | 3.6% |
Prill 2025 | 3.0% |
Mars 2025 | 2.9% |
Shkurt 2025 | 1.7% |
Janar 2025 | 1.5% |
Kafeja dhe çaji u rritën me 18.2 për qind, energjia elektrike me 17.8 për qind, frutat me 14.8 për qind dhe pushimet e organizuara me 13.3 për qind.
Mishi u rrit me 12.8 për qind, shërbimet e automjeteve personale me 10.4 për qind, vajrat dhe yndyrnat me 9.7 për qind, shërbimet hotelierë me 7.7 për qind, perimet me 7.2 për qind dhe shërbimet ambulantore me 7.1 për qind
Top 5 produktet me rritjen më të madhe në qershor:
Produktet | Rritja e Çmimit (%) |
---|---|
Kafja, çaji dhe kakao | 18.2% |
Energjia elektrike | 17.8% |
Pemët | 14.8% |
Pushime të organizuara | 13.3% |
Mishi | 12.8% |
Opinionisti Shenoll Muharremi shprehu shqetësim për indiferencën publike ndaj inflacionit: “A jemi të pasur, të painteresuar apo thjesht injorantë?”, pyet ai, duke shtuar se kjo do të kishte tronditur skenën në çdo vend tjetër, por që në Kosovë ka mbetur pothuajse jashtë radarit të vëmendjes publike si rezultat i “problemeve aktuale tona aq dramatike.”
“Në secilin vend kjo kishte me dridhë qeverinë, ekonominë dhe krejt skenën politike, biznesore dhe akademike. Gjithashtu, prokupimi më i lartë i qytetarëve të Kosovës janë çmimet e larta (inflacioni).
Kjo tregon që ose problemet tona aktuale janë aq dramatike saqë nuk i ka ardh rendi inflacionit. Ose që jemi totalisht të painteresuar dhe joserioz me menaxhu ekonominë dhe shtetin.. rrjedhimisht; gjakftohtë për hallin kryesor të qytetarëve. Ose që skemi lidhje as me ekonomi e as me menaxhim, jemi injorantë. Cilido rasti, duhet me ndryshu.” – shkroi Muharremi.
Në katër vitet e fundit, çmimet e produkteve bazë janë ngjitur me mbi 50 për qind, ndërsa inflacioni kumulativ arriti në 22 për qind — një nivel i paprecedent në dekadat e fundit.
Gjatë këtyre katër viteve të fundit, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka raportuar vazhdimisht për nivele dyshifrore të inflacionit. Ironikisht, vetëm disa vite më parë, kreu i VV-së, Albin Kurti kritikonte ashpër qeveritë paraprake për një inflacion prej 2 për qind, të cilin e konsideronte të papranueshëm.
“Thonë rritja ekonomike gati 4 për qind. Por inflacioni e ki mbi 3 për qind. T’ka ra numri i të punësuarve. T’u kanë rrit çmimet. Ikin njerëzit” – deklaronte Kurti. /Nacionale/