Një 70 vjeçare që u zhduk në rajonin e Prizrenit këtë jave për tu gjetur më pas në një gjendje të rëndë shëndetësore, ishte vetëm një ndër dhjetëra raste të zhdukjeve të raportuara së fundmi.
E njëjta vuante nga një sëmundje e harresës, për çka e kishte vështirësuar gjetjen e saj.
“Është gjetë me një lumë në një gjendje jo të mirë shëndetësore, ka pasë një hipotermi shumë të madhe për shkak të moshës dhe kontaktit me ujë, në lumë, është dërgu me urgjencë në ambulancë dhe është në Spitalin e Prizrenit,” ka thënë Ridvan Tahiri nga Grupi për kërkim-shpëtimin e personave të zhdukur
Statistikat e policisë që ky institucion i ka ndarë me Dukagjinin tregojnë për një shifër prej 35 personash që ishin raportuar si të zhdukur nga 1 janari i këtij viti deri më tani.
Policia e Kosovës, megjithkëtë nuk ka në databazën e saj qendrore një statistikë të përgjithshme se sa prej rasteve të raportuara si persona të zhdukur, kanë arritur të gjenden.
E në këto raste përveç policisë veprojnë edhe grupi i vullnetarëve në krye me Ridvan Tahirin që thotë se prioritet i kanë rastet ekstreme.
“I kemi disa rregullore që intervenojmë vetëm në raste ekstreme që ka të bëjë më fëmijë dhe pleq të moshuar, sidomos në rastet e sezonës dimërorë që ka të bëjë me ortek. Në rastet e adoleshencës nuk intervenojmë shumë shpesh për shkak se po dalin nga shtëpia me vetëdëshirë dhe po kthehen pastaj,” shtoi Tahiri.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala përmend shkaqet e mundshme për këto raste.
“Një gërshëtim dhe një luftë e kulturave fshat-qytet, ndryshim social edhe te pjesa e familjes si koncept që ne kemi pasur deri më tani, veprime të tilla deri më tani shumica e personave të zhdukur po ju rikthehen familjeve, apo diktohen nga ana e Policisë së Kosovës,” u shpreh Drizan Shala, Njohës i çështjeve të sigurisë.
Përndryshe, Policia e Kosovës vepron sipas standardeve të caktuara ku pritet 24 orë përpara se një person të shpallet i zhdukur e për fëmijë rastet iniciohen menjëherë.