Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka arritur një moment të madh në karrierën e tij, duke regjistruar fitoren e 300-të si trajner.
Tekniku italian po vazhdon të dëshmojë përvojën dhe klasën e tij në pankinë, duke qenë një nga trajnerët më të respektuar në futbollin europian, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
Para se të merrte drejtimin e Juventusit në vitin 2025, Spalletti ka udhëhequr shumë skuadra të njohura.
Ai e nisi karrierën te Empoli, ndërsa më pas drejtoi klube si Sampdoria, Venezia, Udinese dhe Ancona. Më vonë shkëlqeu me Romën në dy periudha të ndryshme, ndërsa pati eksperiencë edhe jashtë Italisë me Zenit St. Petersburg, ku fitoi tituj të rëndësishëm.
Gjithashtu, ai ka qenë trajner i Interit dhe Napolit, me këtë të fundit që arriti kulmin duke fituar titullin kampion në Serie A sezonin 2022/23. Pas kësaj, mori drejtimin e kombëtares së Italisë, para se të rikthehej sërish në nivel klubesh me Juventusin.
Fitorja e 300-të është një tjetër dëshmi e karrierës së jashtëzakonshme të Spallettit, i cili vazhdon të shkruajë histori në futbollin italian dhe evropian.






