Festa e 28 Nëntorit nuk e gjenë Kosovën dhe Shqipërinë në nivelin e mirë të bashkëpunimit politik vlerësojnë ish-ambasadorët. Sipas tyre, egon politike të kryeministrave Kurti-Rama kanë ndikuar edhe në bashkëpunimin e të dyja shteteve në rrafshin ekonomik dhe integrues.
28 Nëntori kur të gjithë shqiptarët festojnë pa dallim ditën e flamurit kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, diplomatë me karrierë shprehin një dozë shqetësimi për marrëdhëniet politike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Pavarësisht përpjekjeve për të konsoliduar një marrëdhënie të ngushtë midis dy shteteve, herë pas here janë shfaqur tensione dhe mospajtime që kanë ndikuar në imazhin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Ambasadori, Albert Prenkaj, vlerëson se ndër faktorët që ka ndikuar në këto përplasje janë dallimet ideologjike dhe politike mes partive që udhëheqin qeveritë në Kosovë e Shqipëri.
‘’Në këtë moment faktori politik shqiptar nuk është në relacionet e duhura siç ishte dashur të jetë. Prishtina zyrtare nuk komunikon me Tiranën zyrtare dhe me një pjesë të korpusit politik shqiptar në Maqedoni të Veriut”, tha Prenkaj për rtv21.
Ish-ambasadorja, Alma Lama, vlerëson se ka ftohje të raporteve politike midis Kosovës dhe Shqipërisë e cila ka ndikuar edhe në bashkëpunim midis dy shteteve në aspektin ekonomik dhe integrues.
“Bashkëpunimi është në nivelin më të ulët sepse është i dëmtuar nga niveli politik, kjo sidomos lidhet sidomos me kryeministrin aktual të Kosovës i cili bëri gabimin e madh që shkoi të marrë pjesë në zgjedhje duke qenë kryeministër i Kosovës duke bërë një gjë që nuk ndodh në raportet ndërmjet shteteve”, tha Lama.
Përplasjet politike dhe ideologjike midis dy kryeministrave, Rama e Kurti, ambasadori Prenkaj thotë se ndodhin për shkak të egove politike të dy udhëheqësve qeveritar. Por, siç thotë, ego nacionaliste më të theksuar ka kryeministri Kurit.
‘’Këtu ka fërkim egosh të dy udhëheqësve të dy qeverive. Kemi një dëshirë të zjarrtë të Kurtit për të marrë përgjegjësinë etnonacionale karshi kryeministrit Edi Rama. Kurti i ka shndërruar miqtë e Kosovës në ndërmjetësues”, tha Prenka.
Një element tjetër që dëshmon përçarjet politike, sipas ish-ambasadores Alma Lama është edhe mos mbajtja e mbledhjes së dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.
‘’Kjo është treguari më i mirë i këtyre raporteve. Është edhe tregues i agjendës që ka Qeveria që duket se e sheh më të afërt Qeverinë aktuale të Maqedonisë me një kryeministër i cili nuk ka agjendë pro shqiptare”, tha Lama për rtv21.
Për nderë të 28 Nëntorit, kryeministri Kurti gjatë ditës qëndroi për vizitë në Shqipëri, por sikundër që me presidentin Bajram Begaj kishin përqafim të ngrohtë, të njëjtin nuk e kishte dhe me kryeministrin Rama.