Sot mbushen 27 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari.
Emrin e Komandant “Kumanovës” e ka bartur edhe Brigada 313 e TMK-së, e Zonës së Parë të Mbrojtjes në Malishevë Në mesin e luftëtarëve të lirisë së Kosovës është shquar edhe Ismet Jashar Jashari, njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare, Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë.
Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.
Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.
Dëshmori Ismet Jashari ka lënë pas shoqen e jetës, Habiben, dhe vajzat Marigonën, Monikën, Donikën, Margaritën dhe Artanën.
Për të përjetësuar veprën e komandant Kumanovës, bashkëluftëtarët i kanë ndërtuar shtatoren e cila është e vendosur pranë Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.