Abedin Rexha ishte luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, guximtar e sypatrembur deri në vdekje, për çka dhe bashkëluftëtarët e tij e quajtën “Sandokan”. Ai u lind më 8 korrik 1969 në Vajnik, komuna e Skenderajt.
Shkollën fillore e kreu në Turiçec të mesmen në Skenderajt, kurse studimet i vazhdoi në Fakultetin Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë. Gjatë kohës së shkollimit të mesëm, në Skenderaj ra në kontakt me veprimtarët e ilegales. Asokohe shoqërohej me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët tashmë ishte i organizuar dhe shpeshherë shpërndante edhe trakte e afishe, ku bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesit serbo-sllav.
Duke qenë se pushtuesi i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të Abedinit, me 1992 ai merr rrugën e mërgimit. Në vjeshtë 1996 kthehet në Kosovë, i ngarkuar me detyra të caktuara dhe mban takim me komandantin Adem Jashari. Ai hyn e del nga Kosova shumë herë. Më 6 maj 1997, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodrën, Ramiz Lladrovcin etj, i kalon Alpet Shqiptare. Në rrugë e sipër, ky grup luftëtarësh bie në pritë të forcave serbe dhe pas një luftimi të ashpër dhe rënies heroike të Luan Haradinajt, detyrohet të tërhiqet nga kufiri.
Dy muaj më vonë, në korrik 1997, Abedin Rexha së bashku me Adrian Krasniqin, Ilaz Kodrën, Ilir Konushevcin dhe luftëtarë të tjerë të lirisë, arrin të depërtojë në Kosovë dhe punojnë pa u lodhur në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve e UÇK-së.
Më 25 nëntor 1997, policia serbe shkoi në Vajnik për ta arrestuar Abedin Rexhën – Sandokanin. Abedini me dy vëllezër, Brahimin dhe Afrimin e me luftëtarë të tjerë u kishte dalë përballë bandave serbe dhe i kishte sulmuar. Në këtë sulm ishin likuiduar dy policë serbë, ndërsa gjatë kësaj përleshjeje, forcat serbe kishin plagosur Baki Krasniqin, 11-vjeç.
Më 26 nëntor 1997, komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari kishte urdhëruar t’u zihet pritë forcave serbe te vendi i quajtur Klisyra në Rezallë të Re. Krahas Adem Jasharit dhe Abedin Rexhës ishin rreshtuar në pozicione edhe Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Nuhi Geci e shumë luftëtarë trima.
Plani i armikut kishte filluar të vihej në veprim. Mirëpo në orët e para të ditës, forcat serbe u gjendën të rrethuara. Gjatë tërheqjes serbët kishin goditur për vdekje mësuesin Halit Geci në oborrin e shkollës së Llaushës. Më 28 nëntor 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë, Mujë Krasniqi me shokët e tij Rexhep Selimin dhe Daut Haradinajn, duke qenë të armatosur shpallën publikisht fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, duke u paraqitur para masës së tubuar me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë vitit 1998, Lufta Çlirimtare vijoi të zgjerohej rrufeshëm, dhe Abedin Rexha nuk e përmbante dot zemërimin kundër pushtuesit, që masakronte pamëshirshëm fëmijë, gra, burra dhe pleq dhe ua digjte shtëpitë shqiptarëve.
Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Abedin Rexhën e kishte caktuar Komandant të Brigadës 112 “Arben Haliti” në Zonën Operative të Drenicës.
Gjatë muajve gusht-shtator 1998, komandant “Sandokani” luftoi pa iu trembur syri në shumë fushëbeteja. Dhe pikërisht në kulmin e ofensivave me përmasa të gjera shfarosëse nga forcat serbe, në të gjitha zonat Operative të UÇK-së, e veçanërisht në ZO të Drenicës më 8 tetor 1998, komandanti Abedin Rexha – “Sandokani”, vritet në pyjet e fshatit Kllodernicë të Skëndarajt.
Abedin Rexha pas vetes ka lënë bashkëshorten me dy fëmijë: Sokolin dhe Letën. Heroizmi i tij është përjetësuar në shumë shkrime në shtypin tonë, në këngë e poezi, ndërsa shkolla e Turiçecit mban me krenari emrin e tij.