-4.2 C
New York
Wednesday, January 15, 2025

Buy now

26 vjet nga Masakra e Reçakut

- Advertisement -

Sot bëhen 26 vjet nga Masakra e Reçakut. 15 janari i vitit 1999 ishte i kobshëm për 45 civilë shqiptarë, banorë të fshatit Reçak. Një aksion i tmerrshëm i ushtrisë e Policisë së Serbisë, përfundoi me kryerjen e një masakre e cila më pas, do ta zgjonte botën për gjenocidin që Serbia po e kryente në Kosovë.

Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak u dëgjuan të shtënat e para nga armët e zjarrit. Të frikësuar, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre. Forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshat, ku pas disa orësh të zhvillimit të operacionit, vranë 45 civilë shqiptarë.

Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut.

Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.

Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe dhe liderin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.

Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.

Ndërkohë, me rastin e këtij përvjetori, sot nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, organizohen aktivitetet përkujtimore “Ditët e Reçakut”.

Po ashtu, në nivel vendi ora e parë mësimore, i kushtohet Masakrës së Reçakut, ndërsa në orën 08 e 30 nisin homazhet në Kompleksin Memorial, si dhe në varrezat e dëshmorëve të Shtimes.

Krerët e shtetit homazhe do të bëjnë në orën 10:00, kurse në 11:00 do të mbahet Akademia përkujtimore. Homazhe do të bëjnë edhe partitë opozitare.

Në orët e pasdites do të ketë aktivitet tjera për të kujtuar Masakrën e Reçakut.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit