Me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së Fehmi Bajraktarit, të mërkurën është zbuluar pllaka përkujtimore në fshatin Kishnarekë e Drenasit.
Të pranishëm ishin udhëheqë të nivelit lokal e ish-bashkëpunëtorë të Fehmiut.
Me këtë rast, nipi i tij, Ardiani ka mbajtur një fjalim ku ka thënë se fillimi i muajit prill, i vitit 1999 ishte i rëndë, për familjen e tyre.
Fjalimi i plote:
Për neve si familje fillimi i muajit prill, i vitit 1999 ishte i rëndë, me datë 2 prill nënës ja vranë babën, tre axhallar, si dhe gruan dhe djalin e axhes, kurse me 3 prill, 25 vite më parë nga forcat serbe u vra Axha ynë Fehmi Bajraktari, shtylla dhe udhërrëfyesi i familjes.
Por për këta së paku kemi një vend ku të hedhim lule, tani përveç tek varri, edhe në vendin ku u ndamë për të fundit herë, pikërisht në këtë vend.
Dhimbja për neve nuk mbaron me kaq, nëna dhe daja që janë aty përballe meje, ende nuk dinë asgjë për fatin e tre vëllezërve dhe pesë djemve të axhes, ata janë të zhdukur, nuk kemi vend ku të hedhim lule për ta, ku ti kujtojmë ata. Ehh, e tillë është lufta, ky është çmimi i lirisë. Mbaj mend si sot, 25 vite më parë, ishte një ditë me mjegull, por që u bë më shumë e dendur mjegulla nga granatimet e shumta të forcave serbe.