I akuzuari për vrasjen në “Bon Vivant”, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me 1500 euro gjobë, kurse Sherif Krasniqi është dënuar me 7 vjet burgim për “vrasje në bashkëkryerje”.
Për veprën penale armëmbajtje pa leje ndaj Krasniqit, prokurori i shtetit në seancat e mëhershme ka hequr dorë nga ndjekja penale derisa gjykata e ka refuzuar akuzën.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Avni Syla.
Të dënuarve trupi gjykues ua ka vazhduar masën e paraburgimit deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.
Fjala përfundimtare është dhënë më 20 maj, ku i akuzuari Gërdovci kishte deklaruar se shkaku i thashethemeve lidhur me rastin i kishte vdekur edhe babai i tij.
Vendimi i fundit lidhur me këtë rast është marrë më 13 janar 2023, ku Themelorja, Gërdovcin e dënoi me 18 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, kurse Krasniqin me 7 vite burgim. Apeli e ktheu çështjen në rigjykim më 13 qershor 2023.
Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015. Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje./Betimi për Drejtësi