Pothuajse 24 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, zyrtarët e qytetit të Nju-Jorkut kanë identifikuar tri viktima të tjera të katastrofës së Qendrës Botërore të Tregtisë, raporton The Hill.
Duke përdorur analizë të avancuar të ADN-së, zyra e mjekut ligjor të qytetit konfirmoi identitetin e Ryan Fitzgerald nga Nju-Jorku, Barbara Keating nga Kalifornia dhe një gruaje të tretë, emri i së cilës nuk është bërë i ditur.
“Çdo identifikim i ri dëshmon për premtimin e shkencës dhe shtrirjen e vazhdueshme të kontaktit me familjet pavarësisht kalimit të kohës. Ne vazhdojmë këtë punë si mënyrën tonë për të nderuar të humburit”, tha kryemjeku Ligjor Jason K. Graham në një deklaratë.
Kryebashkiaku Eric Adams e quajti zhvillimin “një hap përpara në ngushëllimin e anëtarëve të familjes që ende vuajnë nga ajo ditë”.
“Dhimbja e humbjes së një të dashuri në sulmet terroriste të 11 shtatorit jehon nëpër dekada”, shtoi ai.
Identifikimet e çojnë numrin e konfirmuar të viktimave në vend në 1.653, me rreth 1.100 viktima të sulmeve terroriste të Al-Kaidës ende të paidentifikuara.
Emrat e Fitzgerald dhe Keating, ishin gdhendur tashmë në Memorialin e 11 shtatorit në pikën zero të sulmit në Nju Jork, raporton Anadollu.