Sot janë bërë 24 vjet nga dita kur në fushë të nderit ra Heroi Mehdin Morina nga Gllareva.
Mehdin Morina u kthye nga mërgimi ku ishte, duke lënë rehatinë dhe luksin që ia ofronte perëndimi, vetëm e vetëm që atdheun ta shihte të lirë e t’i jepte gjithçka atij që të lirohej nga zgjedha e tiranisë serbo pushtuese.
Ai bashkë me dajat e tij Bedri Shala, tash dëshmor i Kombit dhe Elmi Shalën, e së bashku edhe me 15 ushtarë të tjerë kishin hyrë në Kosovë më 17 mars të vitit 1998-të.
Mehdi Morina edhe pse i ri në moshë kishte emigruar në perëndim, ishte i brumosur me atdhedashurinë që më së miri ia kishte mësuar daja i tij, tashmë i ndjeri Gjeneralmajor Shaban Shala, e nga i cili ishte frymëzuar gjithnjë për qëndresën dhe luftën e pakompromis me pushtuesin gjakatar serb.
Mehdin Morina në një betejë të ashpër me forcat serbe që po terrorizonin popullatën e Anadrinisë, nuk lejoi që atypari të kalonte papenguar falanga gjakatare serbe. Pas luftimesh të ashpra ai bie dëshmor, duke u bërë dëshmori i parë i Anadrinisë.
Tash kur kanë kaluar 24 vjet nga rënia e tij, Anadrinia, Gllareva, Klina e tërë Kosova, e kujtojnë si heroin që gjakun ia fali lirisë së mëmëdheut, duke iu përkulur për sakrificën vetëmohuese në shërbim të lirisë së vegjëlisë.