Këngëtari Ismet Bexheti ka folur sot për kohën e themelimit të Radio Kosova e Lirë, shkruan Gazeta Express.
Bexheti në emisionin “Frontal”, në T7 ka folur për dhurimin e pajisjeve për themelimin e kësaj radio.
“Me kontaktet në Shqipëri mora guximin që të nisi aparaturën për të qenë pjesë e luftës, pjesë e vijës së frontit sepse informimi asokohe bëhej nga jashtë. Ishte një dramë që po përcillej nga e gjithë bota”, ka thënë ai.
Më tutje, ai tha se pajisjet e radios kanë ardhur drejtpërdrejtë nga Presheva përmes Gjilanit.
“Pajisjet erdhën drejtpërdrejtë nga Presheva, Gjilani. E rëndësishme ishte që të futej një radio në Kosovë. Në fillim në Shqipëri kam biseduar por kur e pashë që puna po vështirësohej nga atje, vendosa që bashkëveprimtarin tim, komandat Hoxhën që atë kohë dinte për çdo gjë vepronim, në atë kohë, në verën e 1998, meqë kishte për të ardhur në Llap folëm për iniciativën që mund të bëhej një radio”, ka thënë ai.
Këngëtari foli edhe për skemën organizative të radios. Ai tha se ka qenë në interes të tij që radio të futet në Kosovë si mjet lufte.
“Neve pastaj na duhej vetëm forma organizative. E shfrytëzuam rastin që të flasim me Shaqir Shaqirin që ishte pjesë e korridorit dhe pastaj edhe bartës i asaj bije dhe erdhi tek unë bashkë me Elmiun dhe biseduam konkret për iniciativën se si duhej të futej radio. Interesi im ka qenë që të futej ky mjet si pjesë e luftës”, deklaroi Bexheti në T7.
Ai ka folur edhe për momentin kur e ka dëgjuar për herë të parë në transmetim zërin e Nysret Pllanës.
“Është përmbushje ime e plotë në këtë kauzë. Është dëgjimi ikonik i zërit ikonik të Nysret Pallanës atëherë. Ai zë për mua është zëri më i qëlluar në atë kohë”, ka thënë ai.