Të enjten e parë të muajit shkurt të vitit të kaluar, Bujar Mehmeti nuk do ta harrojë kurrë. Atëkohë vetëm 20 vjeç, ai mori një ofertë që t’i niste studimet e doktoraturës për fizikë mjekësore në SHBA.
Edhe pse vetë kishte aplikuar në dy universitete amerikane, ai priste që procesi deri në përzgjedhjen përfundimtare të zgjaste të paktën deri në gjysmën e prillit.
“Ka qenë një intervistë gati dyorëshe dhe kemi biseduar për tema të ndryshme. Në fund të intervistës, profesori ka vendosur të ma ofrojë pozitën e asistentit dhe më ka thënë që dëshiron që unë të jem pjesë e laboratorit të tij”, thotë Bujari, nga fshati Babush i Muhaxherëve i Lipjanit, për Radion Evropa e Lirë.
Oferta ishte e papritur, por Mehmetit nuk iu nevojit shumë kohë për të vendosur. Ai i tha “po” atë ditë Universitetit Wisconsin-Madison, njoftoi universitetin tjetër amerikan se po tërhiqej nga gara dhe pak muaj më vonë u nis për në SHBA.
“Ky universitet, sidomos për kërkime shkencore në këtë fushë, është i përsosur. Buxheti i departamentit është gati 1.8 miliard dollarë. Për më tepër që doktoratura është një rrugëtim i gjatë dhe është e rëndësishme që të të pëlqejë ajo që do ta hulumtosh”, shton 22-vjeçari.
Bujarit i është thënë se është personi më i ri në moshë që është pranuar ndonjëherë në studimet për doktoraturë në këtë departament. Sipas Academia Insider, mosha mesatare e studentëve në doktoraturë në SHBA është 31.5 vjeç.
Por, edhe pse ishte vetëm 20 vjeç kur e mori ofertën, ai kishte mjaftueshëm përvojë sa ta bindte profesorin e tij. E, në SHBA, studentëve u mundësohet të kalojnë nga niveli bachelor drejt në atë të doktoraturës. Universitetet u japin diplomë të masterit këtyre studentëve gjatë rrugëtimit të tyre drejt diplomës së doktoraturës.
Gjatë studimeve të nivelit bachelor në Hungari kishte qenë student i dalluar, i përfshirë edhe në përfaqësimin studentor të universitetit. Nëpër gara ndërkombëtare shkencore në SHBA, Britani të Madhe e vende të tjera, ai e kishte përfaqësuar Kosovën dhe ishte kthyer me medalje.
Gjatë studimeve në Hungari, kishte eksperimentuar me grimca metalike magnetike dhe me ekuacione se si këto grimca mund të përdoren për ta trajtuar kancerin.
Tek ai, Bujari thotë se profesori i tij kishte parë dikë që ka njohuri për fizikë dhe pasion për t’i aplikuar ato njohuri në shërbim të shoqërisë.
“Ai e ka parë qëllimin tim dhe në njëfarë mënyre është pjesë e asaj ëndrrës sime dhe rrugëtimit tim”, thotë Bujari.
Kështu, pas diplomimit në Hungari, në fund të gushtit të atij viti, Bujari u nis për në Madison në SHBA. Mban mend nxehtësinë e pazakontë në ditët e tij të para, takimet me kolegët e rinj dhe profesorin e tij, por është një tjetër takim që i ka ngelur më shumë në mendje.
“Kur kam hyrë brenda departamentit dhe kam parë pajisjet… ka qenë një lloj shoku. Janë pajisjet më të avancuara të shkencës së fizikës mjekësore. Janë pajisje milionëshe me të cilat mund të punosh, i ke në duar”, tregon ai.
Aktualisht, Bujari është i angazhuar në një projekt që synon ta sjellë një metodë të re të fotografimeve mjekësore.
Më shumë sesa synimi për ta lehtësuar punën e radiologëve, atë e motivon qëllimi për ta lehtësuar jetën e pacientëve, duke i ekspozuar ndaj një niveli më të ulët të rrezatimit.
Dëshira për të sjellë ndryshim për të mirë e kishte nxitur Bujarin të interesohej në shkencat e mjekësisë dhe fizikës qysh i vogël.
“Thjesht, e di që kudo ku jam, çkado që jam duke bërë, qëllimi është që të punoj në të mirën e shoqërisë. Shpresoj që arritjet e mia do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së të sëmurëve me kancer apo me sëmundje të tjera, përmes pajisjeve që i funksionalizojmë apo shpikim”, thotë Bujari.
Çmimin Nobel thotë se e ka ëndërr njëjtë si çdo i ri tjetër që hyn në këtë fushë, por ëndrrat e tij e kthejnë shpesh edhe në Kosovë.
“Shpresoj që do të arrij të kontribuoj edhe në Kosovë – qoftë duke nisur bashkëpunim me kompani amerikane që mund të dhurojnë pajisjet e tyre për spitalet publike në Kosovë, qoftë përmes lidhjes së bashkëpunimit mes Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve këtu”, thotë Bujari.
Në dy dekadat e para të jetës së tij, Bujari ka listuar një sërë arritjesh. Ai është edhe pjesë e udhëheqësisë së klubit Astronomy Outreach of Kosovo, që një muaj më parë e hapi Observatorin dhe Planetariumin e parë Kombëtar në Kosovë.
Por, në mesin e arritjeve dhe synimeve, një gjë e bën më të lumtur.
“I kam bërë krenarë dhe të lumtur prindërit e mi. Nuk është qëllimi që ata të dalin e të thonë që Bujari ka arritur diçka, por thjesht e di që jam në një rrugë të drejtë dhe e di që po bëj diçka të mirë kur e di që ata janë të lumtur me rrugëtimin që kam zgjedhur”, përfundon ai