-0.9 C
New York
Monday, December 22, 2025

Buy now

2025-ta, vit historik për futbollin e Kosovës

- Advertisement -

Viti 2025 ishte pa dyshim më i suksesshmi për futbollin e Kosovës që nga anëtarësimi në UEFA dhe FIFA. Vetëm nëntë vjet pas bashkimit në familjen evropiane dhe botërore të futbollit, vendi ynë jo vetëm që po mban hapin, por po korr rezultate që shpesh i lakmojnë edhe federata me dekada të tëra traditë ndërkombëtare.

Ky vit dëshmoi fuqinë e futbollit kosovar, si përmes suksesit të Kombëtares së Kosovës, ashtu edhe përmes arritjeve historike të FC Drita në Ligën e Konferencës dhe FC Prishtina 01 në Ligën e Kampionëve të Futsallit.

Puna e palodhshme e kreut të Federatës, Agim Ademi, dhe vizioni i përzgjedhësit Franco Foda në afrimin e lojtarëve cilësorë e të rinj sollën rezultate të prekshme.

Në mars, Dardanët shkruan faqen e parë të këtij viti të artë: Kosova u ngjit në Ligën B të Ligës së Kombeve, pas dy fitoreve të merituara ndaj Islandës, 2:1 në “Fadil Vokrri” dhe 3:1 në Murcia të Spanjës.

Një kapitull i ri u hap për futbollin tonë, por rrugëtimi nuk u ndal këtu.

Në kualifikimet për Botërorin 2026, Kosova arriti një tjetër moment historik: përfundoi e dyta në Grupin B me 11 pikë, duke siguruar për herë të parë play-off-in e Kupës së Botës. Humbja ndaj Zvicrës në Bazel vetëm sa e forcoi kampin e Dardanëve.

Dy fitore të mëdha ndaj Suedisë, një fitore dhe një barazim ndaj Sllovenisë dhe një barazim ndaj Zvicrës mbyllën një cikël madhështor.

Tani para nesh qëndrojnë dy sfida vendimtare: në mars, gjysmëfinalja me Sllovakinë në Bratisllavë; dhe, në rast fitoreje, finalja e madhe në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë ose Rumanisë. Realizimi i këtij objektivi do ta dërgonte Kosovën në Grupin D të Botërorit 2026, së bashku me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë –një ëndërr e shumë gjeneratave.

Seria brilante prej 8 fitoreve, 2 barazimeve dhe vetëm 1 humbjeje gjatë vitit 2025 e ngriti dukshëm Kosovën edhe në renditjen botërore. Dardanët po e mbyllin vitin në vendin e 80-të të FIFA-s.

Viti ishte i suksesshëm edhe për Kombëtaren U21, e cila nisi rrugëtimin drejt Euro 2027 me bilanc pozitiv –2 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. Ndërkaq, Kombëtarja U17 e vajzave siguroi kalimin e merituar në Ligën A për kualifikimet e Euro 2026.

Në arenën e klubeve, suksesi ishte po aq mbresëlënës: FC Drita u bë klubi i parë kosovar që arriti ta kalojë fazën e ligës së Conference League, duke siguruar play-off-in për 1/8 e finales dhe duke na bërë krenarë me paraqitjet e saj. Ndërsa FC Prishtina 01 shkroi histori në futsall, duke arritur deri në 1/16 e finales së Championsit.

Të gjitha këto suksese nuk janë rastësi. Ato janë fryt i punës, angazhimit dhe vizionit të qartë me të cilin po ecën futbolli kosovar.

Vitin 2025 po e mbyllim me krenari. Dardanët dëshmuan se mund të shkojnë edhe përtej pritshmërive. Kosova po jep shembull dhe faqet e reja në histori po shkruhen.

Tani të gjithë sytë i kemi nga muaji mars, aty ku ëndrra e madhe mund të bëhet realitet.

Të ngjashme

Të fundit