18.2 C
New York
Saturday, October 26, 2024

Buy now

2023-shi e hesht Kurtin: Thellohet deficiti tregtar, eksporti në rrjedhë negative

- Advertisement -

Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet me deficitin më të lartë tregtar. Bazuar në raportet mujore, shihet një çekuilibër i theksuar ndërmjet eksportit dhe importit në Kosovë, ku importet vazhdojnë të dominojnë tregtinë e jashtme të Kosovës. Të dhënat më të fundit të Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë për një rritje të deficitit tregtar me 4.4 për qind. Ky trend alarmant karakterizoi vendin gati gjatë gjithë muajve të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i vendit gjatë vitit 2022 ka arritur vlerën mbi 5.6 miliardë euro, ndërsa eksporti ka shënuar mbi 860 milionë euro. Krahasuar me vitin 2021, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport rezultoi që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord.

Gjysma e parë e vitit 2023 rezulton të jetë edhe më e rëndë për deficitin tregtar të Kosovës, duke na dhënë projeksione se rekordi i disbalancës ndërmjet importit dhe eksportit i vitit 2022 mund të mos mbahet për shumë gjatë.

Importi dominon eksportin

Përgjatë muajve të vitit 2023, raportet e tregtisë se jashtme të Kosovës, të publikuara nga ASK-ja, raportuan për një rritje të theksuar të deficitit tregtar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në korrik, deficitit tregtar shënoi një rritje prej 4,4 për qind, arritur në vlerën e 444,7 milionë eurove. Ky ndryshim është në raport me vitin 2022, kur deficit tregtar ishte 426,1 milionë euro, raporton Nacionale.

Rritja më e lartë e deficitit tregtar është regjistruar në muajin maj të vitit 2023, me një shkallë rritje prej 20.5 për qind krahasuar me majin e vitit 2022. Kjo tregon një përkeqësim të dukshëm të balancit tregtar.

Vlera e deficitit në maj 2023 arriti në 443.3 milionë euro, krahasuar me 367.8 milionë euro të vitit 2022.

Muaji mars i vitit 2023 ka shënuar po ashtu një rritje të dukshme të deficitit tregtar për 5.3 për qind, ku vlera e tij ka qenë 426.8 milionë euro, krahasuar me 405.3 milionë euro të vitit 2022.

Rritje të ndjeshme të deficitit tregtar pati edhe në janar duke arritur në 6.4 për qind, ku vlera preku shifren e 291.5 milioën eurove, krahasuar me 273.8 milionë euro të vitit 2022.

Në muajin prill dhe muajin qershor 2023, është shënuar një ndryshim minimal me një ulje të deficitit tregtar, respektivisht për -0.2 dhe 4.6 për qind.

2023-shi e hesht Kurtin

Të dhënat e eksportit në 5 vitet e fundit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, tregojnë një rritje eksponenciale që nga viti 2021. Kurti vazhdimisht i shfrytëzonte këto shifra për të pretenduar se qeveria e tij “ka ngritur imazhin e Republikës së Kosovës.”

Situata ka ndryshuar në vitin 2023, ku eksporti i Kosovës pothuajse në të gjitha raportet mujore ka shënuar trend negativ krahasuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak.

Kryeministri Kurti, për dallim nga vitit paraprak ku lavdërohej me performancën e Kosovës në eksporte, nuk ka komentuar situatën me tregtinë e jashtme të Kosovës kohëve të fundit. Raportet e këtij viti shpërfaqin një rrjedhë negative të eksportit krahasuar me vitin paraprak.

Sipas ASK-së, gjatë muajit korrik, eksporti i Kosovës ka shënuar rënie për 11.8 për qind, në qershor për 8.1 për qind, në maj për 1.6 për qind, në prill për 16.9 për qind, në mars për 7.7 për qind dhe në janar për 3.2 për qind.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit