UBT është një nga institucionet më dinamike dhe inovative të arsimit në Kosovë. Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në një intervistë për UBT TV ndau vizionin dhe planet afatgjata të universitetit, duke theksuar se suksesi i këtij institucioni është një rrugëtim i vazhdueshëm që kërkon strategji të qarta dhe një angazhim të palodhur për përmirësimin e vazhdueshëm.
Rektori Hajrizi ka theksuar se suksesi i UBT-së nuk është një pikë e caktuar arritjeje, por një proces i pandërprerë për t’u përshtatur dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë dhe tregut global. Sipas tij, “suksesi është një rrugëtim i vazhdueshëm, për të cilin gjithmonë duhet të kesh kujdes, të bësh strategji, të kesh misione të qarta dhe vizione të qarta për të ardhmen”. Kjo është arsyeja pse UBT ka hartuar strategji afatgjata për vitet 2027, 2030, madje edhe deri në vitin 2050.
Një nga objektivat kryesore të UBT-së, sipas Rektorit Hajrizi është që të mbetet një lider në Ballkan dhe të vazhdojë të ofrojë vlera edukative dhe profesionale që përmbushin kërkesat e shoqërisë kosovare dhe më gjerë. Kjo ka çuar në angazhimin e universitetit në aktivitete ndërkombëtare dhe bashkëpunime me institucione botërore.
“Ne jemi aktivë në shumë kontinente dhe kjo është ajo që përfaqëson momentumin tonë. Synimi ynë është të jemi një institucion lider në Ballkan dhe të konfirmohemi vazhdimisht me punë inovative, me transformime të nevojshme, duke rritur ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimet globale”, tha Hajrizi.
Aktualisht, UBT është duke realizuar projekte dhe bashkëpunime të rëndësishme që lidhen me sfidat globale. Po ashtu, universiteti është duke kontribuar në fushën e shëndetësisë, duke ndihmuar në ndërtimin e spitaleve dhe shërbimeve shëndetësore që sigurojnë qasje për çdo qytetar të botës.
UBT është gjithashtu pjesë e iniciativave të Kombeve të Bashkuara që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe barazinë gjinore. “Ne jemi anëtarë të mekanizmave botërorë ku kontribuojmë aktivisht dhe jemi të respektuar për angazhimet tona”, shtoi Hajrizi.
Në vizionin 20 vjeçar që ka ndërtuar udhëheqësi i institucionit, Rektori Hajrizi, UBT synon të rrisë ndikimin e tij global dhe të përmirësojë pozitat në rangimet ndërkombëtare. Rektori Hajrizi e sheh UBT-në si një model për vitet e ardhshme, një institucion që promovon praktikat më të mira dhe që ofron mundësi të shkëlqyera për studentët, duke i përgatitur ata për sfidat globale.
“UBT-ja do të ketë një rritje të konsiderueshme, me më shumë studentë ndërkombëtarë dhe më shumë pjesëmarrje në mekanizma botërorë”, përfundoi Hajrizi.