Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykimi dënues, ndaj të akuzuarit Mehmet Leka, zyrtar administrativ në Zyrën e Gjendjes Civile në Molliq të Gjakovës, duke e dënuar me 2 mijë e 600 euro gjobë, për akuzën se regjistroi në mënyrë të kundërligjshme, personin Sokol Tolaj si banor të Republikës së Kosovës, duke i mundësuar që të pajiset me dokument zyrtar të Gjendjes Civile.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Leka, është shpallur të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Leka i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë e 600 euro, e cila duhet të paguhet në afat prej 3 muajve.
Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Trupi gjykues ka njoftuar se është bërë anulimi i regjistrimit të personit Sokol Tolaj, në librat e regjistrimit civil.
I akuzuari, gjithashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 50 euro dhe në emër të fondit për kompensim të viktimave të krimit, shumën prej 50 euro.