-9 C
New York
Monday, February 2, 2026

Buy now

19 vjet nga propozimi i Planit të Ahtisaarit: Dokumenti që hapi rrugën drejt pavarësisë

- Advertisement -

Më 2 shkurt 2007, emisari special i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ish-Presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, dorëzoi në Prishtinë dhe Beograd propozimin e tij për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ky dokument, i njohur si Plani i Ahtisaarit, shënjoi një moment kyç në historinë politike të Kosovës dhe procesin që, veç një vit më vonë do të çonte drejt shpalljes së pavarësisë. Saktësisht një vit e 15 ditë pas propozimit të planit, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Le të kthehemi te plani që u propozua, sot 19 vite më parë; në atë kohë, institucionet e Kosovës e mirëpritën propozimin si kompromisin maksimal të mundshëm, duke e konsideruar atë si rrugën e vetme realiste drejt shtetësisë. Plani parashihte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, ndërtimin e institucioneve demokratike, si dhe garanci të gjera për të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht për komunitetin serb.

Në anën tjetër, Serbia e refuzoi kategorikisht Planin e Ahtisaarit, duke insistuar se Kosova mbetet pjesë integrale e saj dhe duke kundërshtuar çdo zgjidhje që do të çonte në pavarësi.

Kundërshtim të fuqishëm ndaj planit pati edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila atëherë vepronte si lëvizje qytetare. Vetëvendosje e konsideronte Planin e Ahtisaarit si një kompromis të dëmshëm për sovranitetin e Kosovës, duke kundërshtuar pavarësinë e mbikëqyrur, decentralizimin dhe kompetencat e zgjeruara për komunat me shumicë serbe. Protestat e asaj kohe kundër planit u shoqëruan edhe me përplasje me policinë, ku pati edhe viktima. Lideri i Vetëvendosjes, tash 19 vite më parë, përsëriste në secilin shesh, secilin tubim, e secilin takim, se ky plan nuk çonte drejt pavarësisë. Lideri i atëhershëm dhe i tashëm i Vetëvendosjes, me dhjetëra herë e kishte thënë se ky plan, nuk çonte as te Ushtria, as te një shtet i mirëfillt. Ai madje, nuk njohu as flamurin që doli nga ky propozim-plan, duke e quajutr “lara-lara”.

Pavarësisht kundërshtimeve, Plani i Ahtisaarit u bë baza politike dhe juridike mbi të cilën Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Shumë nga dispozitat e tij u inkorporuan në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rendit kushtetues dhe institucional të vendit.

Nëntëmbëdhjetë vjet pas dorëzimit të propozimit, Plani i Ahtisaarit mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës. Sot, 19 vite më parë u hap rruga drejt shtetësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit