170 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga puna, nga janari i vitit 2024 deri më tani.
Në një përgjigje nga Policia e Kosovës për tëvë1, thuhet se vetëm këtë vit numri i atyre që janë dorëhequr nga ky institucion është 73.
“Numri i dorëheqjeve nga 01.01.2024 deri 15.10.2025 është 170: Gjatë periudhës 01.01.2024-31.12.2024 kane dhënë dorëheqje 97 zyrtarë. Gjatë periudhës 01.01.2025 – 15.10.2025 kanë dhënë dorëheqje 73 zyrtarë”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Për arsyet e dorëheqjeve dhe këtë dukuri, tëvë1 ka tentuar të marrë qëndrim nga Sindikata e Policisë së Kosovës por nga kryesia kanë qenë të paqasshëm.
Ndërkaq, një nga arsyet kryesore të trendit të heqjes dorë nga uniforma vlerësohet të jetë mungesa e kushteve të punës.
Ish-kryetari i kësaj Sindikate, Shaban Tasholli tregon se dorëheqjet kanë qenë ndër vite nga Policia e Kosovës.
“Mirëpo kohëve të fundit siç shihet, nuk kam shifra, ka më shumë që po japin dorëheqje sepse kanë ndryshu gjërat, dmth te privatnikët janë bukur më të ngritura, më të larta dhe është normale njerëzit ku e shohin veten më mirë, aty shkojnë. Po mund ta quajë shqetësuese se të përgatitet një djalë apo vajzë në Polici dhe të tërheqet është shqetësuese pak, nuk është mirë, nuk është në rregull”, deklaroi Tasholli.
Sipas tij, është jetike që të përmirësohen kushtet në Polici, në mënyrë që të ndalet ky trend.
“Nuk ka sigurim shëndetësor, nuk ka sigurim jetësor që është jetike dmth pensioni invalidor nuk ekziston dmth ka shumë minusa që nuk janë dhe këto janë shkaqe që vërtetë njerëzit largohen, e lëshojnë Policinë, nuk është pensioni i hershëm, dmth punon 65 vjet në Polici që është punë e rëndë, puna e policit krahasohet me minierën”.
Në vitin 2023, Njësitë e Specializuara të Policisë kishin protestuar para objektit të Qeverisë, duke kërkuar rritjen e shtesës për rrezikshmëri.