Një 16-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur rëndë pas një sulmi me thikë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Vicenza, në një zonë afër qendrës historike të qytetit.
I riu u godit me thikë në gjoks dhe aktualisht ndodhet i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv pediatrik të spitalit lokal. Edhe pse në gjendje të rëndë, jeta e tij nuk është në rrezik, bëjnë me dije autoritetet shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake të forcave të rendit, autori i dyshuar është një tjetër i ri, ndoshta bashkëmoshatar i viktimës.
Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por një nga pistat që po hetohet është tentativa për grabitje që përfundoi në dhunë. Hetuesit, megjithatë, nuk përjashtojnë as arsye të tjera pas agresionit.
Dëshmitarë të rastësishëm që ndodheshin në zonë dhanë alarmin, ndërsa ambulanca e Shërbimit Emergjencës Suem 118 mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe i dha ndihmën e parë të plagosurit përpara se ta transportonte drejt spitalit.
La Repubblica shkruan se ngjarja ndodhi në rrugën Via Cattaneo, një zonë e populluar dhe mjaft e frekuentuar për shkak të pranisë së një parkingu të madh publik. Policia po punon për identifikimin e autorit dhe pritet që deklaratat e adoleshentit të plagosur, sapo gjendja e tij të përmirësohet, të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes./TopChannel/