15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë përfunduar me sukses një trajnim në Danimarkë.
Në ceremoninë e certifikimit të tyre, morën pjesë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ShKK-së, Ridvan Hoti, kryeinspektori, Muamer Bikliqi, ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy vendet.
Gjatë fjalës së tij, Hoti theksoi se kjo ceremoni shënon suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përfunduar një trajnim të avancuar në Danimarkë.
Bazuar në njoftimin e lëshuar për media, Hoti po ashtu vlerësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, e ndërtuar mbi vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm gjithashtu vlerësoi marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e cilësuar atë si një partneritet unik dhe të besueshëm që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne të korrektimit.
Në njoftim thuhet se ai shprehu mirënjohje për autoritetet daneze, trajnerët dhe mentorët për profesionalizmin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ceremoni nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një kapitulli të ri që kërkon standarde të larta profesionale, etikë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve.
Nga ana tjetër, Hummelgaar, uroi zyrtarët korrektues kosovarë për përfundimin e suksesshëm të trajnimit dhe theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
Eliasen theksoi se trajnimi i zyrtarëve korrektues nga Kosova është thelbësor për përgatitjet para vënies në funksion të burgut. Ajo vlerësoi suksesin e grupit të parë, përfshirë trajnimin në kulturën daneze dhe menaxhimin e burgjeve, si dhe falënderoi zyrtarët nga të dy vendet për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit.
“Trajnimi mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët tanë korrektues treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë. Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.






