Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është kandidat për deputet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025.
Gashi, i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Prizrenit mban numrin 15 në listën e PDK-së për deputet.
Duke falënderuar strukturat e PDK-së për besimin e dhënë që të jetë pjesë e listës zgjedhore, Gashi është zotuar se do të punojë fuqishëm për fitoren e partisë që përfaqëson më 9 shkurt dhe të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, shkruan Gazeta SCANNER.
Tërë jetën, në çdo pozitë institucionale e politike që kam mbajtur, jam përpjkur të punoj me nder dhe përgjegjësi, i bindur se angazhimi ynë është shërbim dhe asnjëherë shpërblim.
Falënderoj për besimin e plotë mikun tim, kryetarin Shaqir Totaj, degën e PDK-së në Prizren dhe mbështetjen e lidershipit të PDK-së, kryetarit Memli Krasniqi e kryeministrit të ardhshëm, Bedri Hamza. Faleminderit familjes time, shumë miqve e aktivistëve të shumtë kudo në Kosovë e Mërgatë, pa të cilët asnjë fitore e PDK-së nuk është e mundshme. Pres që edhe në këto zgjedhje të rrugëtojmë së bashku, duke u angazhuar fuqishëm për fitoren e 9 shkurtit”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Biografia e Kujtim Gashit
Kujtim Gashi lindi më 12.09.1981 në Prizren, shkollën e mesme e kreu në shkollën ekonomike “Ymer Prizreni”, studimet e larta i përfundoi në fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe mbrojti me sukses dhe masterin në po këtë fakultet me bazë në Menaxhim të Arsimit. Gashi ka kryer me sukses trajnime të shumta në vend dhe jashtë vendit duke veçuar, specializimin për lidership në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe atë për Zhvillim Ekonomik Lokal.
Si student mori iniciativën dhe themeloi organizatën studentore ShAPS-Shoqata për Aftësim Profesional të Studentëve si dhe themeloi revistën studentore Ardhmëria me qëllim të aftësimit dhe të ngritjes profesionale të studentëve.
Në vitin 2014 Kujtim Gashi u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal të qytetit të Prizrenit nga radhët e PDK-së, ndërsa, para kësaj pozite ai ka qenë edhe Koordinator i Sektorit të Rinisë në po këtë komunë, Tri herë është zgjedhur kuvendar në KK Prizren.
Në vitin 2017 deri në vitin 2020, ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në vitin 2019 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gashi aktivitetin e tij politik e ka filluar qysh herët duke mbajtur edhe pozita të rëndësishme si sekretar i Partisë Demokratike në Prizren. Ai është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar i Kryesisë qendrore si dhe nënkryetarë i Degës së PDK-së dega në Prizren. Ka qenë për nga dy mandate kryetar i nëndegës së PDK-së dhe RDK-së në Atmaxhë, si dhe anëtarë i Kryesisë dhe sekretar i RDK-së, Dega në Prizren. Aktualisht, Gashi është nënkryetar i Komunës së Prizrenit.