Shkruan: Adnan A Sogojeva
Feridi në trupin e tij pati më shumë se 40 copë të hekurit qe i kishin mbetur në trup nga shpërthimi i granatës e cila shpërtheu gjysme metër larg vendndodhjes se tij ne istikam… Pas plagosjes kishte një problem më të madh se dhimbjet e mëdha qe ia kishte shkaktuar granata. Problemi ishte se një cope e granatës ia kishte berë të paaftë për funksionim shuplaken e dorës së djathtë dhe Feridi brengosej se nuk do të mund të luftonte më. Ajo ishte dhimbja më e madhe për të se gjithë ai hekur që i kishte depërtuar në trup.
Dita e 15 prillit filloi me një vigjilencë të shtuar, u bë evakuimi i pak familjeve – civilëve që ishin aty, ushtarët morën detyrat dhe gjithçka ishte në gatishmëri. Në anën tjetër Dr. Ridvani vazhdonte betejën për shërimin e plagëve të Feridit, ishte një betejë e vështirë, rrethana të jashtëzakonshme, kishin bërë natën në pyll, ishte një natë e gjatë …!
Bashkë me Komandant Dinin, Avdylin dhe Lirimin kishim shkuar ne majën e Gospojes, një pikë e lartë strategjike ku krijohej mundësia që shumë më lehtë të komunikohej me radiolidhje. Komandanti komunikonte me radiolidhje, njoftonte Shtabin e Zonës dhe Shtabe tjera për epilogun e luftimeve, me mburrje fliste për ushtaret e tij, fliste për suksesin, për qëndrimin heroik të ushtarëve të tij, fliste për të plagosurit, në veçanti për Feridin që ishte plagosur rëndë, kërkoi dhe ndihmë në mjek dhe pajisje mjekësore…, dëgjoheshin urata nga gjithë anët duke uruar me thënien (Ju lumshin pushkët o trima), ne rrinim të heshtur, vështronim në heshtje dhe mendonim se a do mundet të ia hedhë Feridi gjithë atyre plagëve…?!
Diku rreth orës 10:00 të 15 prillit, Feridi bie ne agoni, gjendje nga e cila nuk do të kthehet më në mesin tonë, ai po merrte rrugën e të zgjedhurve. Për 24 orë rresht kishte bërë luftë në dy fronte, me dhimbjet nga plagët dhe me gjendjen e luftimeve në front. Në ora 11:35, luftëtari i lirisë Ferid Curri, mbyllë sytë përgjithmonë, rrëfen Dr. Ridvani.
Kujtoj atë kohë kur erdhi në Gospojë, vendi ku ishim me Komandantin për të na lajmëruar për gjendjen e Feridit, erdhi Vullneti, ishte mbushur fryme, qante, lotët i shkonin faqeve, mbajë mend fjalën, mos u mërzitni, Feridi na la…! Na kaploi heshtja, edhe ndjenjat na tradhtuan, lotët ishte e vështirë t’i ndalnim, ngushëlluam njeri tjetrin dhe ashtu të thyer dhe më lot në sy nisemi për tek vendi ku ishte Feridi. Askush nuk mund të nxirrte asnjë fjalë, ishte gjendje vështirë e përshkrueshme…! Arritëm tek vendi ku ishte Feridi, aty takuam Dr. Ridvanin të heshtur e të thyer, Aliun po ashtu, Fitorja që kishte qëndruar afër Feridit qante, këdo që takuam ishte në vaj, mundoheshim të ngushëllonim njëri tjetrin, ishte shumë vështirë, si duket Petriti që dhe ai ishte i plagosur goxha rëndë nuk ishte në dijeni për vdekjen e Feridit dhe kjo e rëndonte dhe më shumë situatën. Aliu mori përgjegjësinë për t’i kumtuar lajmin e kobshëm dhe shumë të rëndë Petritit.
Feridi, po, Feridi kishte marrë rrugën e atyre, rrugën e të zgjedhurve…!
Në rrethana lufte, në kushte shumë të vështira, në një atmosferë shumë të rëndë emocionale, në orët e mbrëmjes i japim lamtumiren e fundit shokut tonë Ferid Curri.
Feridi mori rrugën e të zgjedhurve, ne shokëve, familjes, të afërmeve, na la krenarinë, njëherësh dhimbjen e madhe në shpirt…!
Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë!
Adnan A Sogojeva