1 C
New York
Monday, January 12, 2026

Buy now

15 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, edhe sa kohë nevojitet për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve

- Advertisement -

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të premten numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

KQZ-ja, siç ka thënë zëdhënësi Valmir Elezi, është e gatshme që t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

Por paraprakisht, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa [PZAP] kanë shkruar katër ankesa, të cilat po shqyrtohen.

Varësisht prej ankesës, PZAP ka nga 48 orë deri në 72 dhe 96 orë për të vendosur për një ankesë.

PZAP me vendim mund ta obligojë KQZ-në të veprojë sipas ankesës së palës ankuese, nëse ankesa konsiderohet e bazuar dhe e argumentuar.

Në rast se PZAP e hedh poshtë një ankesë, pala e cila e ka dorëzuar atë, mund të ankohet edhe në Gjykatën Supreme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media para një jave se rezultatet përfundimtare mund të shpallen përpara 19 janarit, që ishte data e planifikuar nga KQZ-ja.

“Rezultatet përfundimtare të planifikuara për t’u shpallur më së largu deri më 19 janar, mund të shpallen shumë më herët”, ka thënë ai.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe mundësisë që palët të ankohen në PZAP apo më pas edhe në Supreme, KQZ mund t’i certifikojë ato.

Kuvendi duhet të konstituohet pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Pika 1 e nenit 66 të Kushtetutës thotë se Kuvendi zgjidhet në seancën konsistuive e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Presidentja“e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.

Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, presidentja, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.

Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.11% të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke marrë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.19% të votave – 22 deputetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23% të votave – 15 deputetë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë gjashtë ulëse në Kuvend pas 5.50% të votave të fituara.

Të ngjashme

Të fundit