144 policë të suspenduar kanë vazhduar të kompensohen me 50 për qind të pagës përtej periudhës së lejuar gjashtë mujore.
Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Aty theksohet se kjo kishte ndodhur sepse Policia nuk kishte pranuar rekomandimin për ndërprerje të suspendimit nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Kjo është verifikuar me rastin e suspendimit të përkohshëm të zyrtarit policor, bazuar në vendimin e datës 17.03. 2022, i cili ishte kompensuar me pagë me lartësi prej 50 % përtej tejkalimit të periudhës së lejuar prej 6 muajve. Për më tej, janë verifikuar edhe nëntë raste tjera nga lista e pagave krahasuar me listën e të suspenduarve. Mosrespektimi i rregulloreve në fuqi për kompensimin e pagesave për suspendim të përkohshëm më gjatë se gjashtë muaj, mund të sjellë kosto shtesë për buxhetin e Policisë së Kosovës, duke ulur disponueshmërinë e fondeve për nevojat e tjera buxhetore”.
Nënkoloneli në pension thotë se kjo praktikë duhet ndalur për shkak se kjo periudhë është e mjaftueshme për vërtetimin apo jo të shkeljes nga zyrtarët policorë.
Sipas tij, veprime të tilla kanë vetëm efekte negative në punën e këtij institucioni.
“Edhe dëme në buxhet edhe zbrazëti në Policinë e Kosovës për arsye se zyrtari policor i cili është suspenduar ai pret me u kthy ose me u largu. Njërën anë edhe njësiti përkatës ku ka qenë ai pret që ai person me u kthy ose me u largu dmth kemi një zbrazëti të zyrtarëve policorë të cilët në një mënyrë ose tjetër pritet ose të kthehen ose të largohen varësisht nga argumentet e argumentuara që unë mendoj se afati 6 mujor është i mjaftueshëm që është paraparë me ligj”, tha Refki Morina – nënkolonel në pension.
Kurse, ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës po vlerëson se kjo është shqetësuese dhe një shkelje serioze.
Andaj ai kërkon efikasitet më të madh nga autoriteti mbikëqyrës dhe t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda këtij afati.
“Në qoftë se ka nevojë për veprime hetimore shtesë atëherë të shqyrtohet mundësia që këta zyrtarë policorë të kthehen por të transferohen në pozita tjera për të cilat nuk dyshohen për kryerjen e mundshme të veprave penale. Po ashtu PK duhet të koordinohet më mirë me IPK-në duke i monitoruar rastet e suspenduara”, tha ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha.
Tëvë1 ka kërkuar sqarime edhe nga IPK për këto gjetje, mirëpo gjatë ditës të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas udhëzimit Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës përcaktohet se suspendimi mund të zgjasë më së shumti 6 muaj, dhe pas kësaj periudhe punëdhënësi duhet ose ta kthej në punë ose t’ia shkëpusë kontratën e punës. /Tëvë1/