Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka publikuar disa tabela, në të cilat ka paraqitur nivelin e importit nga Serbia në periudhën janar-maj 2024 dhe rritjen e importit në rreth 50 milionë euro në periudhën e njëjtë në vitin 2025.
Për këtë iu ka përgjigjur ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke thënë se më shumë ka pasur imporat nga Serbia në vitin 2017 kur Avdullah Hoti ishte ministër i Financave.
Kështu, Murati nuk i kontestoi shifrat që i publikoi Hoti, veçse bëri krahasim.
“Avdullah Hoti paska pyetur se çfarë po ndodh me importet nga Serbia, dhe qenka ankuar se sivjet importi qenka më i lartë sesa muajt e njëjtë gjatë vitit të kaluar (kur dihet se vitin e kaluar ishte në efekt masa e sigurisë pas sulmit në Banjskë)”.
“Ju lutem i tregoni dikush që importi i mallrave nga Serbia sivjet, megjithatë mbetet afërsisht sa gjysma e vlerës që importohej në vitin 2017, kur Avdullah Hoti ishte Ministër i Financave”, ka thënë Murati.